Një vit pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, Shqipëria vazhdon të kujtojë me respekt dhe nderim figurën e tij të shquar.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, e vlerësoi Kadaresë si një nga figurat më të ndritura të kombit shqiptar, krahas emrave të mëdhenj si Skënderbeu dhe Nënë Tereza.
Ai theksoi rëndësinë e veprës së Kadaresë, e cila do të ruhet dhe transmetohet brezave si një thesar i çmuar i kulturës dhe identitetit tonë kombëtar. Akademia e Shkencave ndihet krenare për kontributin e tij si anëtar për 35 vite me radhë. Ky përvjetor është një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për trashëgiminë e madhe letrare dhe kulturore që la pas.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi: Ismail Kadare është ndër figurat më të ndritura të kombit shqiptar, krahas figurave si Skënderbeu, Nënë Tereza etj, që dhanë kontribut të madh për popullin tonë. Akademia e Shkencave ka pasur privilegjin që ta ketë anëtar të saj për 35 vite me radhë. ASH i është mirënjohës Kadaresë për vlerësimin që na ka bërë.
Emri i Kadaresë i jep shkëlqim të veçantë librit të albanologjisë të Akademisë së Shkencave, të cilën ai vetë e cilësonte si “amza e më të shquarave të studimeve shqiptare”. Ne sot kujtojmë me hidhërim këtë humbje të madhe, largimin nga jeta të anëtarit e kolegut tonë, për humbjen e ikonës së inteligjencës dhe kulturës shqiptare, por edhe me krenari e mirënjohje. Vepra e Kadaresë do të ruhet si një nga thesaret e kulturës shqiptare dhe do u përcillet brezave si një testament qytetërimi e identiteti, si pasuri e vyer kombëtare./kb