Deputetja e Partisë Demokratike dhe njëkohësisht autore e vetme e një projektligji gjithëpërfshirës për kontrollin e investimeve të huaja, Jorida Tabaku, ka denoncuar në Kuvend përpjekjen e mazhorancës për të kaluar një ndryshim të fragmentuar e të pavlerë në ligjin për investimet.
Tabaku deklaroi se amendamenti i propozuar nga deputeti socialist Shalsi – i cili shton thjesht një nen në ligjin e vitit 1993 – nuk përfaqëson as reformë dhe as përmbush angazhimet që Shqipëria ka ndaj Bashkimit Europian apo ndaj partnerëve strategjikë si SHBA. “Kjo nuk është reformë, është një tallje me integrimin. Është një përpjekje për të bërë ‘gjysmë ligjesh’ që nuk sjellin asnjë ndryshim real,” u shpreh Tabaku.
Deputetja theksoi se për hartimin e nismës së saj ligjore është konsultuar për gjashtë muaj me të gjitha dhomat e tregtisë, me Departamentin Amerikan të Tregtisë, ekspertë të sigurisë dhe të klimës së investimeve. Ajo paralajmëroi për rreziqet që i kanosen Shqipërisë nga mungesa e një kuadri ligjor serioz, veçanërisht në epokën e sfidave të reja globale, ku investitorë nga vende jo partnere po kërkojnë të fusin kapitalin në sektorë strategjikë.
“Në një kohë kur Wall Street Journal paralajmëron për rrezikun që Kina të dominojë zinxhirin e furnizimit të inteligjencës artificiale, Shqipëria nuk mund të rrijë me dyer hapur për investime të dyshimta në teknologji, siguri dhe media,” tha Tabaku. Ajo kërkoi anulimin e ligjit për investimet strategjike, të cilin e cilësoi si “ligjin më korruptiv të dhjetëvjeçarit të fundit” dhe që shkel të drejtat e pronës private, si dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në.
Në përfundim, Tabaku bëri thirrje për një reformë të plotë, serioze dhe transparente, e cila të mos mbështetet mbi ligje fasadë, por mbi standarde europiane që sjellin kapital cilësor, rrisin punësimin dhe garantojnë sigurinë kombëtare. m.p.