Sot, më 4 korrik 2025, Kryeministri Edi Rama feston 61-vjetorin e lindjes. Ai ka mbajtur poste kyçe në jetën publike të vendit për më shumë se dy dekada: kryetar bashkie, kryetar i Partisë Socialiste dhe kryeministër i Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe, ai ka qenë një nga figurat më të komentuara të politikës shqiptare.
Qeverisja e tij ka promovuar digjitalizimin e shërbimeve publike, reformën në drejtësi si dhe plot investime në infrastrukturë, veçanërisht në rrugë dhe aeroportet e vendit. Këto reforma kanë qenë një pikë referimi për afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Në arenën ndërkombëtare, Rama ka luajtur një rol domethënës si përfaqësues i rajonit në proceset e bashkëpunimit ballkanik dhe integrimit europian. Ai dallohet edhe për fjalimet e tij të forta në forume ndërkombëtare dhe për origjinalitetin e tij në diplomacinë rajonale.
Në moshën 61-vjeçare, Edi Rama mbetet një figurë që ndikon ndjeshëm në të tashmen dhe të ardhmen politike të vendit. A do të mbahet mend si reformatori që modernizoi Shqipërinë apo si lideri që polarizoi jetën politike? Historia do ta tregojë më qartë këtë, por një gjë është e sigurt: Edi Rama është rekordmeni absolut i politikës shqiptare.
Mund të qortohet si kryeministër, por jo si politikan. “Kryeministër nuk lind. Bëhesh”, ka thënë një herë ai me gojën e tij. Askush nuk e di këtë më mirë se ai, por le të shtojmë një fjali tjetër. “Politikan lind, nuk bëhesh”. Do të ishte një fjali fort e lejueshme dhe e logjikshme, nëse ai do ta thoshte për veten. m.p.