Palestine Action nuk është kërcënim për demokracinë britanike, Yvette Cooper po

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

George Monbiot*

Askush nuk duhet t’i besohet pushtetit. Çdo qeveri do të shtypë qytetarët e saj nëse nuk sfidohet vazhdimisht dhe në mënyrë krijuese. Dhe kjo detyrë bëhet gjithnjë e më urgjente me zhvillimin e teknologjive të reja të survejimit dhe kontrollit.

Qeveria britanike drejtohet aktualisht nga një ish-avokate për të drejtat e njeriut. Ministrja e Brendshme, Yvette Cooper, ka shprehur në parlament admirimin e saj për sufragetët. Por këto kredenciale nuk na mbrojnë aspak nga sulmet ndaj të drejtave tona themelore. Me një shumicë të madhe parlamentare, pa kontrolle kushtetuese formale dhe me një makineri qeverisëse të pamëshirshme dhe pothuajse të pakontrollueshme, kjo administratë po abuzon me pushtetin më shumë se paraardhësit e saj konservatorë.

Megjithëse konkurrenca është e fortë, ndalimi i grupit protestues Palestine Action nëpërmjet Ligjit për Terrorizmin 2000, është ndoshta veprimi më antidemokratik që ka marrë ndonjë ministër i Brendshëm në 30 vitet e fundit. Nëse sfida ligjore ndaj këtij urdhri dështon, njerëzit mund të përballen me 14 vite burg, thjesht për të shprehur mbështetje ndaj grupit – një kërcënim serioz për të drejtën e protestës dhe lirinë e shprehjes.

Qysh në vitin 2001, kur ligji hyri në fuqi, paralajmërova se mund të përdorej për të ndaluar grupe proteste jo të dhunshme dhe për të burgosur mbështetësit e tyre. Përkrahësit e qeverisë së Tony Blair më thoshin se po flisja budallallëqe: qëllimi i ligjit ishte të na mbronte nga njerëzit që donin të na vrisnin. Në atë kohë, Yvette Cooper ishte ministre e re. Ajo duhej ta dinte potencialin e ligjit. Tani, ajo vetëm e konfirmon atë paralajmërim.

Ashtu si ligjet e hartuara nga konservatorët kundër protestave, edhe ky zbatim i ligjit duket se është reagim ndaj presionit nga lobistët. Think tank-et e “Tufton Street”, në bashkëpunim me median miliardere, kanë kërkuar masa gjithnjë e më ekstreme kundër protestuesve që kundërshtojnë gjenocidin në Gaza. Duket se qeveria britanike ka ndarë të dhëna kontakti të policisë dhe prokurorëve me ambasadën izraelite, duke treguar për lidhje të thella mes zbatimit të ligjit në Britani dhe interesave të një shteti të huaj.

Si reagim ndaj këtyre lobimeve, Britania është shndërruar ndoshta në demokracinë më represive në dukje. Si në aspektin ligjor ashtu edhe në zbatim, ngjan gjithnjë e më shumë me një autokraci. Kjo nuk shfaqet vetëm në dënimet ekstreme për protestues paqësorë, por edhe në standardet e dyfishta – shenjë klasike e mentalitetit autoritar: “për miqtë e mi gjithçka, për armiqtë – ligji”. Ndërsa aktivistët për klimën arrestohen për shkeljen e rrugëve, asnjë arrestim nuk u bë kur një grup fermerësh me traktorë bllokuan rrugën ku po fliste Keir Starmer, duke e detyruar të largohej. Asnjë ministër nuk reagoi.

Në vend që të shfuqizojë ligjet represive kundër protestave të miratuara nga konservatorët, Partia Laburiste po i forcon ato përmes një neni (neni 124) të fshehur në projektligjin për krimin dhe policinë. Ky nen, i vërejtur pak nga publiku apo ligjvënësit, i jep policisë fuqi të mëdha për të ndaluar protesta pranë vendeve të kultit që ata i konsiderojnë “kërcënuese” për besimtarët. Duke qenë se çdo zonë urbane ka të paktën një vend adhurimi, kjo i jep diskrecion të plotë policisë për të ndaluar protestat sipas qejfit të saj.

Lexo edhe :  Propozimi i pesëve sheikëve të Hebronit që ka tronditur Lindjen e Mesme

Palestine Action nuk është kërcënim për demokracinë. Por Cooper është. Nuk kam asnjë dyshim se nëse sufragetet do të ishin aktive sot, ministrja e Brendshme do t’i shpallte organizatë terroriste.

Një nga shkaqet kryesore të rënies globale të demokracisë është pabarazia në rritje mes fuqisë së qeverive dhe qytetarëve të tyre. Në kohën e Revolucionit Francez, qeveritë kishin frikë nga populli – distanca mes bajonetës dhe çengelit të fermës nuk ishte aq e madhe. Por tani, me shtete që posedojnë teknologji gjithnjë e më të sofistikuara, përplasja mes qytetarit dhe shtetit është asimetrike. Në Britani dhe vende të tjera po përhapet përdorimi i teknologjisë së njohjes faciale. Kur kjo teknologji të kombinohet me armë autonome për përdorim ushtarak dhe civil, distanca mes shtetit dhe qytetarit bëhet e frikshme.

Në mbarë botën, armët autonome janë në zhvillim, kryesisht për luftë. Ukraina dhe Rusia po përjetojnë një garë të frikshme armatimesh robotike. Në Gaza, Izraeli ka automatizuar përzgjedhjen e objektivave, me pasoja tragjike.

Sipas burimeve të sigurisë të cituara në revistën +972 në prill 2024, programi izraelit i inteligjencës artificiale Lavender kishte shënjestruar rreth 37,000 palestinezë si të dyshuar për lidhje me Hamasin – një listë për ekzekutim. Një tjetër program me emrin “Ku është babai?” i gjurmonte ata në shtëpi për t’i bombarduar natën – shpesh duke vrarë jo vetëm objektivin, por edhe familjet e tyre dhe njerëz të pafajshëm përreth. “Kur gjithçka bëhet automatike,” tha një prej burimeve, “gjenerimi i objektivave del jashtë kontrollit.” Pothuajse çdo person në Gaza kishte një “vlerësim Lavender” nga 1 deri në 100. Kur një numër kalonte një prag të caktuar, emri shtohej në listën e ekzekutimeve – që zbatohej si urdhër ushtarak, edhe pse dihej se të paktën 10% e objektivave ishin të gabuar.

Kushdo që mendon se këto sisteme nuk do të përdoren kundër qytetarëve nga qeveritë, po vetëmashtrohet. Kur përzgjedhja automatike e objektivave kombinohet me dërgimin automatik të municioneve – nga gazi lotsjellës tek plumbat – shtetet fitojnë pushtete të frikshme për të shtypur protestat. “Robocopët” e së ardhmes nuk do të kenë këmbë, por helika.

Siç thekson fushata Stop Killer Robots, këto makina na çnjerëzojnë: bëhemi vetëm pika të dhënash, që interpretohen nga algoritme. Kur një sistem armësh autonome programohet, regjimet shtypëse nuk marrin më përgjegjësi për veprimet e tij. AI vetëm forcon paragjykimet ekzistuese: zhvillimi i saj garanton që njerëzit me ngjyrë dhe pakicat të jenë më të ekspozuara ndaj përzgjedhjes si kërcënim nga policia.

Dhe kur këto sisteme të instalohen, do të jenë shumë të vështira për t’u hequr. Kur krijon një treg, krijon një lobbi, dhe ai lobbi do të kërkojë ruajtjen dhe zgjerimin e investimeve të tij. Armët autonome, qofshin për përdorim ushtarak apo civil, duhet të ndalohen me ligj ndërkombëtar para se të jetë vonë.

Teknologjitë e kontrollit po përshpejtohen ndërsa të drejtat demokratike po tkurren. Po rrëshqasim drejt shtypjes ekstreme politike, të nxitur nga kapitali dhe interesat e shteteve të huaja, të përshpejtuar nga automatizimi.

Prandaj duhet të protestojmë – tani, për sa kohë që ende mundemi.

*George Monbiot është kolumnist i “The Guardian”/ Përgatiti për botim: L.Veizi

Të fundit

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, i mbijeton votëbesimit

Një votëbesim kundër shefes së Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen ka dështuar që të sigurojë shumicën e votave...

Zbulim befasues në hapësirë – Një objekt i panjohur mund të jetë përplasur me Saturnin

Një zbulim i pazakontë nga astronomët po ngjall interes në komunitetin shkencor: një njollë misterioze është vërejtur në atmosferën e Saturnit, çka mund të...

Ultimatumi i Ramës, japin dorëheqjen të gjithë drejtorët në Bashkinë e Durrësit

Ashtu siç u bë e ditur nga takimi i dy ditëve më parë mes Kryeministrit Rama dhe strukturave lokale të PS në Durrës, të...

Gjendet parcela me kanabis në Has, procedohet kryeplaku

Vijon operacioni kombëtar kundër kultivimit të bimëve narkotike, i koduar “Koordinata”. Si rezultat i kontrolleve intensive nga toka dhe ajri, me mbështetjen e dronëve...

Shërbimi Sekret i SHBA pezullon 6 agjentë pas sulmit ndaj Trump

Shërbimi Sekret i SHBA-së, agjencia që mbron presidentët, familjet e tyre dhe udhëheqësit e huaj që vijnë për vizitë, ka pezulluar gjashtë punonjës. Masa...

Lajme të tjera

Web TV