Elon Musk ka ndezur një valë të re polemikash pas një postimi të ashpër dhe ironik në platformën e tij X (ish-Twitter), ku sulmoi në mënyrë të drejtpërdrejtë administratën Trump, duke e lidhur me çështjen e shumëdiskutuar të Jeffrey Epstein.
“Ata arrestuan (dhe vranë) Peanut [ketrin], por as që janë përpjekur të ngrenë akuza ndaj ndonjërit prej klientëve të Epstein,” shkroi Musk, duke aluduar për mungesën e hetimeve serioze ndaj emrave të fuqishëm që dyshohet se kanë qenë pjesë e rrjetit të Epstein.
Në një tjetër koment të fortë, miliarderi shtoi: “Qeveria është thellësisht e thyer”, duke publikuar edhe një memë ironike nga seriali “The Office”, në të cilën thuhej se “më shumë ketra dhe rakuna janë arrestuar sesa njerëz nga lista e Epstein.”
Postimi i Musk përmend edhe rastin e Peanut, ketrit viral që u eutanazua nga autoritetet e Nju Jorkut në nëntor 2024 pas një incidenti ku kishte kafshuar një oficer policie. Vendimi për eutanazinë u arsyetua nga autoritetet me nevojën për testim të tërbimit, por ngjalli zemërim masiv në rrjetet sociale dhe u kritikua ashpër edhe nga Donald Trump dhe senatori J.D. Vance.
Referencat e Musk e kanë zhytur debatin publik në një përplasje të re mes kritikëve të sistemit dhe figurave politike të lidhura me çështjet e pazgjidhura të elitave. Megjithatë, ky nuk është rasti i parë që Musk shfrytëzon platformën X për të goditur politikisht me gjuhë të drejtpërdrejtë dhe tone provokuese. Reagimet nga kampi republikan pritet të jenë të forta. m.p.