Një 23-vjeçar është gjetur sot i pajetë pranë liqenit të Shkopetit. Ka qenë babai i tij që ka bërë kallëzim në polici mbrëmjen e së martës, se i biri Renis Dobra nuk është kthyer në banesë. Policia thotë se pas disa orësh kërkime, kanë gjetur trupin e tij të pajetë pranë liqenit të Shkopetit.
Ende nuk dihen shkaqet e vdekjes ndërkohë që sipas policisë, dyshohet se automjeti me të cilën lëvizte i riu ka rënë në liqen. Një grup i posaçëm hetimor është ngritur për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Dyshohet se ngjarja të jetë kriminale, por nuk janë konstatuar shenja të të shtënave me armë. Dobra nuk ka precedentë të rëndë kriminalë, dhe njihej vetëm për disa raste vjedhjesh.
“Mbrëmjen e djeshme, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Mat, shtetasi R. D., i cili ka kallëzuar se djali i tij, shtetasi R. D., 23 vjeç, nuk ishte kthyer në banesë. Shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet për gjetjen e 23-vjeçarit. Pas disa orësh kërkime, shërbimet e Policisë kanë gjetur trupin e pajetë të 23-vjeçarit, pranë liqenit të Shkopetit, ndërsa automjeti i tij dyshohet se ka rënë në liqen.
Në lidhje me këtë rast është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.”, njofton policia./e.t