Greqia do të ndalojë për tre muaj të gjitha seancat dëgjimore për azil për emigrantët që mbërrijnë me anije nga Afrika e Veriut. Kështu ka deklaruar kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis të mërkurën e 9 korrikut, mes një fluksi të madh migrantësh nga Libia.
“Rruga për në Greqi po mbyllet… çdo migrant që hyn ilegalisht do të arrestohet dhe ndalohet”, tha kryeministri Mitsotakis në parlament, shkruan AFP.
Udhëheqësi konservator tha se legjislacioni do të hidhej në votim në sallë të enjten dhe se Athina po e mbante BE-në të informuar për këtë çështje.
Ky veprim erdhi pasi mbi 2 mijë migrantë kanë zbarkuar në Kretë, që është një nga destinacionet kryesore të pushimeve në Greqi, së bashku me ishullin e Mitsotakis, duke shkaktuar zemërim midis autoriteteve lokale dhe operatorëve turistikë.
Një grup tjetër prej rreth 520 personash u shpëtuan pranë Kretës herët të mërkurën dhe do të ridrejtohen në portin e Lavrio-s në Athinë, tha roja bregdetare.
Greqia shpresonte të ndalonte flukset duke kontaktuar autoritetet në Libinë lindore në Bengazi dhe me qeverinë e njohur nga OKB-ja në Tripoli. Por një vizitë e të martës nga komisioneri i BE-së për migracionin dhe ministrat e migracionit të Greqisë, Italisë dhe Maltës pati efekt të kundërt kur zyrtarët vendas e anuluan vizitën./e.t