Liverpuli është gati të bëjë çmenduri për t’u përforcuar në sulm. Dhe duket se ka përgatitur një ofertë prej 175 milionë eurosh (150 milionë sterlina), për sulmuesin e Njukasëllit, Aleksandër Isak.
Konkretisht, sipas asaj që ka përcjellë gazetari anglez Kreig Hop, kampionët e Anglisë duket se duan të bëjnë më në fund realitet atë që ka qenë objektivi kryesor për sulmin gjatë kësaj vere. Kështu që “Reds” do të duhet të shpenzojnë jo pak për të konkretizuar gjithçka. Trajneri Slot është i vendosur të forcojë skuadrën e tij, pasi synon të mbrojë titullin e kampionit edhe në sezonin e ardhshëm.
Skuadra nga “Anfield” deri tani ka realizuar me sukses afrimet Zgeremi Frimpong, Florian Virtz dhe Milos Kerkez. Mirëpo, tani ende po kërkojnë të shtojnë një qendërsulmues. Ndërsa duket se veç Isakut, po vlerësojnë edhe Ekitiken të Eintrahtit.
REZISTENCA – Nga ana tjetër, Njukasëll nuk ka ndërmend ta shesë Isak, përjashto ndonjë ofertë marramendëse. “Magpies” do t’i ofrojnë atij fanellën me numër 9 në një përpjekje për ta bindur atë të qëndrojë në “St James’ Park”. Gjithsesi, nuk ka asnjë garanci nëse sulmuesi suedez do ta pranojë gjestin, duke ditur interesimin nga kampionët në fuqi. Por, Liverpulit sigurisht që do t’i kushtojë dhe jo më pak se 150 milionë sterlina (174 milionë euro), shifër kjo që do të vendoste një rekord të ri britanik në merkato.
EFEKTIVITETI – Sulmuesi 24-vjeçar nga Suedia mund të thuhet se ka qenë një nga sulmuesit më të fortë në Premier Ligë sezonin e kaluar. Ai shënoi 27 gola dhe shërbeu 6 asiste në 42 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Gjithashtu, për t’u veçuar është se Isak shënoi ndaj Liverpulit në finalen e “Carabao Cup”, duke i dhënë fund pritjes së Njukasëllit për trofe./e.t