nga Justin Kadi
Kur bëhet fjalë për shembuj model në debatin për strehimin, Vjena është shpesh një pikë referimi. Kryeqyteti austriak përmendet shpesh në narrativat mbi politikat e suksesshme të banimit. Një artikull në Observer përfundonte se Vjena tregon që “shtëpitë dinjitoze për të gjithë” nuk janë një ëndërr e pamundur. Madje New York Times e quajti “një utopi për qiramarrësit”.
Një pjesë e konsiderueshme e tërheqjes që ka Vjena lidhet me përmasat e mëdha të strehimit social në qytet. Ai përbën rreth 43% të afërsisht 1 milion njësive të banimit. Rreth gjysma e këtij stoku është në pronësi të bashkisë, ndërsa gjysma tjetër ofrohet dhe administrohet nga shoqata të strehimit me fitim të kufizuar – një formë austriake e ofruesve të banesave sociale, të cilët lejohen të nxjerrin një fitim modest për të mbuluar shpenzimet. Strehimi social nuk është vetëm për personat me të ardhura të ulëta; ai u shërben edhe shtresave të mesme dhe, në disa raste, atyre të sipërme-mesme.
Efektet pozitive janë të matshme. Qiratë në sektorin e strehimit social janë ndjeshëm më të ulëta se në tregun privat: banesat e sapolëshuara me qira në sektorin e strehimit bashkiak dhe atë me fitim të kufizuar janë rreth 30% më të lira. Cilësia e banesave është shpesh më e lartë, veçanërisht në sektorin me fitim të kufizuar. Për më tepër, vetë ekzistenca e këtij sektori ushtron presion që qiratë në tregun privat të mos rriten shumë, siç tregoi një studim i fundit.
Ky sektor nuk është ndërtuar brenda natës. Ai ka origjinën në socializmin bashkiak të “Vjenës së Kuqe” në vitet 1920, kur Partia Socialdemokrate e Punëtorëve vendosi politika të gjera sociale për të përmirësuar kushtet e jetesës së klasës punëtore. I financuar përmes taksave progresive, strehimi zinte një vend qendror. Sot, socialdemokratët janë ende në pushtet dhe ofrimi i strehimit social vazhdon, megjithëse në një formë të ndryshme. Ndërtimi i banesave bashkiake ka rënë që nga vitet 1980, ndërsa strehimi me fitim të kufizuar është rritur. Një pjesë e konsiderueshme e financimit vjen nga një taksë 1% mbi pagat e çdo punonjësi në Vjenë.
Një aspekt veçanërisht i spikatur i strehimit social në Vjenë është stabiliteti i tij i jashtëzakonshëm. Ndërkohë që në qytete si Londra, Berlini dhe të tjera në Evropë, privatizimi ka dëmtuar ndjeshëm këtë sektor, në Vjenë ndikimi ka qenë më i moderuar. Në fillim të viteve 2000, një qeveri konservatore/ekstreme e djathtë në Austri shiti shoqatat federale të strehimit te investitorë financiarë, çka ndikoi edhe strehimin në Vjenë. Në vitet 1990, qeveria federale prezantoi të drejtën e blerjes për qiramarrësit në banesat me fitim të kufizuar.
Megjithatë, deri më tani, ndikimi i kësaj politike në Vjenë ka qenë i kufizuar. Shumë qiramarrës vendosën të vazhdonin të jetonin me qira. Së bashku me ndërtimin e vazhdueshëm të banesave të reja, kjo do të thotë se strehimi social nuk është tkurrur në mënyrë relative, por ka ruajtur një pjesë të qëndrueshme të tregut të banesave që nga vitet ’90.
Por jo gjithçka është aq ideale sa mund të duket. Një çështje që vihet re është aksesueshmëria. Në një sistem ku një pjesë kaq e madhe e strehimit shpërndahet përmes procedurave burokratike dhe jo nga tregu i lirë, ndarja e banesave bëhet proces delikat. Aplikuesit regjistrohen në një listë pritjeje, ku merret parasysh nevoja për strehim, situata jetësore dhe të ardhurat. Shoqatat e strehimit kanë gjithashtu kanale të tyre të ndarjes së banesave, gjë që e bën sistemin edhe më të ndërlikuar. Për më tepër, disa banesa kërkojnë pagesa fillestare nga qiramarrësit, që mund të jetë një barrierë financiare. Në përgjithësi, sistemi është kompleks dhe priret të favorizojë ata që dinë si të lundrojnë në të dhe ata që kanë më shumë kohë që banojnë në qytet.
Të sapoardhurit në tregun e banesave mund të zgjedhin tregun privat. Por ky sektor ka ndryshuar ndjeshëm në tre dekadat e fundit. Dikur konsiderohej si një “makinë integrimi”, duke ofruar banesa me cilësi të ulët, por të rregulluara dhe relativisht të përballueshme për ata që nuk kishin akses në strehim social. Në vitet ’80, degradimi i këtyre banesave u bë problem, dhe qeveria e liroi Ligjin për Qiradhënien për ta bërë dhënien me qira më fitimprurëse. Vendosja e qirasë u bë më fleksibël, u futën kontratat e përkohshme dhe pronarët fituan të drejtën të caktonin qira më të larta në zonat me çmime më të larta toke. Edhe pse banesat janë përmirësuar ndjeshëm që nga ajo kohë, strehimi i lirë është zhdukur, duke i vënë në disavantazh të sapoardhurit që mbështeten tek ai.
Një përfundim i thjeshtë që mund të nxirret nga rasti i Vjenës është se politikat kanë rëndësi. Me përkushtim afatgjatë ndaj strehimit social dhe me privatizim të kufizuar, është e mundur të sigurohen banesa më të mira dhe më të përballueshme. Por ndoshta përfundimi më i frytshëm është se Vjena, përmes zgjedhjeve politike, ka arritur të krijojë një regjim të ofrimit të strehimit që e trajton banesën si një nevojë bazë, më shumë se shumica e qyteteve të tjera evropiane. Ky regjim përfshin jo vetëm politikëbërësit nga niveli lokal në atë federal, por edhe autoritetet e planifikimit, zhvilluesit, pronarët, shoqatat e strehimit, bankat dhe kompanitë ndërtuese, ndër të tjera. Kuptimi i mënyrës se si ky regjim ka lindur, si funksionon dhe si përballon sfidat, mund të jetë pika më e vlefshme për t’u studiuar nga qytetet që duan të mësojnë nga Vjena.
*Justin Kadi është profesor i asistent në Planifikim dhe Strehim në Departamentin e Ekonomisë së Tokës, Universiteti i Kembrixhit.
Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi