Shefi i Kabinetit të Kryetarit të Partisë Demokratike, Akil Kraja, në një intervistë për një emision televiziv ka lëshuar akuza të forta në drejtim të qeverisë dhe mënyrës së administrimit të pushtetit nga Kryeministri Edi Rama. Kraja u shpreh se Kryeministri po vepron si një menaxher autoritar, duke marrë përsipër të gjithë zinxhirin e vendimmarrjes.
“Kryeministri sillet si një menaxher i cili thotë: ‘Unë i emëroj individët, unë i vendos stafet, unë përcaktoj objektivat e instancave, qofshin këto qendrore apo vendore – dhe për pasojë, ashtu siç i vendos, ashtu i heq’,” deklaroi Kraja.
Në mënyrë të veçantë, Kraja ndaloi te situata në Elbasan, të cilën e përshkroi si “një Çernobil shqiptar”. Sipas tij, ndotja e ajrit është kancerogjene dhe përbën një rrezik serioz që prek jo vetëm Elbasanin, por edhe zona të tjera si Lushnja, Rrogozhina e Fieri.
“Pasojat kanë zgjatur për ditë të tëra, janë të tmerrshme. Më besoni, është një Çernobil,” deklaroi ai.
Ndër të tjera, Kraja komentoi edhe aktin e hedhjes së molotovit në Theth, duke e cilësuar si një “tërmet të ekuilibrave lokalë”, që rrezikon zhvillimin ekonomik dhe social të komuniteteve të vogla.
“Në vend që të ndërtojmë një shoqëri demokratike, po jetojmë dita-ditës në një realitet që s’ka lidhje me demokracinë,” përfundoi ai.
Kraja:
Kryeministri sillet si një menaxher i cili thotë: unë i emëroj individët, unë i emëroj individët. Unë i emëroj stafet, unë i vendos piketat objektive të instancave, qofshin këto qendrore apo vendore e për pasojë ashtu siç unë i vendos, ashtu i heq.
Vetë Bashkia në Theth ka promovuar këto godina të cilat 1 apo 2 muaj më vonë u shembën pikërisht nga i njëjti pushtet që i promovonte deri dje.
Pra, ka një diskordancë të tmerrshme në këtë drejtim nga ku unë besoj se është jetike të mos biem pre e paragjykimeve dhe e koloritit partiako-politiko-militesk e kështu me radhë që shpeshherë etiketohet politika e Tiranës, që po, edhe në këto raste të dëgjojmë sa më shumë zërat lokalë, sipërmarrës lokalë, punëtorët e thjeshtë lokalë, mjekët lokalë.
Rasti i Elbasanit, p.sh., është një tragjedi, është një Çernobil ajo që ka ndodhur në Elbasan. Është një problematikë lokale sigurisht, por që shkon deri në Lushnje, Rrogozhinë, Elbasan, Fier, me një ndotje kancerogjene, të tmerrshme të ajrit.
Pasojat kanë zgjatur për ditë të tëra, s’di ç’të them, besoni, pasojat janë të tmerrshme. Më besoni, është një Çernobil, përsëri pra, problematikat lokale.
Ju folët për Molotovin në Theth, një fshat kaq i vogël pra që të flasim për Molotov, shkatërrime. Ai është një tërmet i ekuilibrave lokalë, i zhvillimit ekonomik, pra sërish një ç’ekuilibrim i tmerrshëm, i tronditshëm i zhvillimit normal të një shoqërie e cila presupozohet të jetë demokratike, e cila rezulton dita-ditës që nuk është e tillë./e.t