Japonia ka vendosur një rekord të ri botëror në shpejtësinë e internetit – 1.02 petabitë për sekondë, që është rreth një milion gigabitë çdo sekondë.
Rekordin e kanë vendosur Instituti Kombëtar Japonez për Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit (NICT) dhe kompania Sumitomo Electric, të cilët e shpallën këtë arritje në fund të majit.
Për ta kuptuar më mirë sa është 1.02 petabitë në sekondë, merrni si shembull faktin që do të mund të shkarkonit të gjithë përmbajtjen e Netflix-it për më pak se një sekondë.
Me këto shpejtësi, gjithashtu do të mund të shkarkonit video-lojëra të mëdha prej 150 GB brenda një çasti – diçka për të cilën shumica prej nesh mund vetëm të ëndërrojmë.
Për ta arritur këtë, ekipi i shkencëtarëve ka përdorur një kabllo optike speciale me 19 bërthama në vend të njërës, gjë që u ka mundësuar të transmetojnë të dhëna në shumë rrjedha paralele, në një distancë prej 1800 kilometrash. Për krahasim, kjo është thuajse e njëjta distancë sa nga Londra në Romë.
Gjithashtu, largësia nuk ndikon negativisht në shpejtësi, kështu që do të mund të transmetoni dhe të luani sa të doni pa humbje në cilësi.
Megjithatë, duhet theksuar se kjo shpejtësi rekorde e internetit për momentin nuk është e disponueshme për publikun – ajo është arritur në një ambient laboratorik dhe nuk ka detaje se kur, apo nëse, kjo teknologji do të përdoret komercialisht. /E.T