Bernie Ecclestone, ish-shefi i Formulës 1, komentoi shkarkimin e Christian Hornerit, duke i hedhur benzinë zjarrit për çështjen e skandalit seksual, ku është përfshirë ish-menaxheri i Red Bullit.
Sipas “Telegraph”, Ecclestone madje e quajti ishdrejtuesin e ekipit austriak një “idiot”, teksa ndër të tjera deklaroi: “Situata në të cilin ai u përfshi 18 muaj më parë… epo, ai është një idiot. Një 50-vjeçar që mendonte se ishte 20 vjeç, mendonte se ishte fëmijë. Shpesh pyes veten, kur ndodhin situata të tilla, pse nëse vajza është kaq e shqetësuar për sjelljet e dikujt, ajo nuk thotë thjesht, ‘Hej, ndalo’”, deklaroi Ecclestone.
Horner udhëhoqi Red Bull Racing për gati 20 vjet, duke fituar gjashtë kampionate për konstruktorë dhe gjithashtu tetë për pilotë, në një epokë ku Red Bulli ka shkruar historinë në Formula 1. Por mbretërimi i Horner në krye të Red Bull, megjithatë, filloi të shkërmoqej shkurtin e kaluar, për shkak të disa problemeve shumë serioze.
Bota e Formulës 1 u gjend në qendër të një skandali që përfshinte ish-menaxherin e ekipit, Red Bull Racing, Christian Horner. 51-vjeçari u akuzua nga një punonjëse për ngacmim seksual dhe sjellje shtrënguese dhe kontrolluese, pas mesazheve të dyshuara me përmbajtje seksuale të dërguara nga drejtuesi britanik, i cili është i martuar me ishanëtaren e “Spice Girl”, Geri Halliwell.
Horner u lirua dy herë nga akuzat: së pari pas një hetimi të brendshëm të kryer nga një avokat, dhe më pas nga një proces i veçantë ligjor që hodhi poshtë ankesën e punonjëses së ekipit austriak. Horner që atëherë i ka mohuar me vendosmëri akuzat, në qendër të të cilave e gjeti veten, por kjo situatë si dhe rezultatet e munguara në pistë, me Red Bullin që ka pasur një rënie shumë të madhe, sollën edhe vendimin e ekipit austriak për të shkarkuar shefin e skuadrës./ D.C