13 korrik 1878 – Kongresi i Berlinit
Nga Leonard Veizi
Në sallonin e ftohtë të diplomacisë europiane, ku globi rrotullohej mbi tavolina bisedimesh të nxehta dhe kufijtë vizatoheshin me lapsin e interesave, fati i kombeve u vulos pa praninë e tyre…
…Në korrikun e një viti të nxehtë diplomacie, teksa shtrëngata e luftës ruso-turke ende nuk ishte fashitur mirë, dritaret e sallës perandorake të Reishtag-ut hapeshin e mbylleshin mbi një hartë të dridhshme: Ballkanin. Të mbledhur në Berlinin e kancelarit Bismark, burrështetasit e Europës nuk u ulën për të dëgjuar zërat e popujve, por për të matur me pëllëmbë dhe për të ndarë me harqe kufijsh një gadishull që nuk e njihnin, por donin ta kontrollonin. Ballkani, si gjithnjë, një mozaik ndjenjash dhe etnish, u shndërrua në një tryezë pazari, ku idealizmi nuk kishte vend. Për çdo lëvizje lapsi mbi hartë, një popull fshihte plagët, një tjetër ngrinte kokën në kotësi. Në këtë teatër të realpolitikës, shqiptarët nuk kishin as vend dhe as zë – përmendeshin vetëm si territore të pazgjidhura, ndërkohë që identiteti i tyre futej në dosjen e “shprehjeve gjeografike”.
Një traktat për të shtypur frikën, jo për të ndërtuar paqen
Më 13 korrik 1878, pas një muaji diskutimesh intensive në Kongresin e Berlinit, u firmos Traktati i Berlinit – një dokument që përmbysi vendimet e Traktatit të Shën Stefanit të marsit po atë vit, i cili kishte mbyllur luftën ruso-turke (1877–1878) në favor të Perandorisë Ruse.
Traktati i Shën Stefanit kishte parashikuar krijimin e një “Bullgarie të Madhe” që do të shtrihej nga Danubi në veri deri në Egje në jug, dhe nga Deti i Zi në lindje deri në brigjet e Maqedonisë në perëndim – një konstrukt politik që praktikisht do të bënte Rusinë zot të Ballkanit. Kjo alarmeu Britaninë e Madhe dhe Austro-Hungarinë, të cilat, duke përdorur peshën e tyre në arenën ndërkombëtare, kërkuan dhe imponuan rishikimin e traktatit në Berlin.
Çfarë solli Traktati i Berlinit?
Kongresi i Berlinit ndryshoi rrënjësisht përfitimet ruse dhe dizenjoj një hartë të re gjeopolitike për Ballkanin, ku llogaritjet strategjike peshonin më shumë se çdo parim vetëvendosjeje:
Serbia, Mali i Zi dhe Rumania u njohën si shtete të pavarura nga Perandoria Osmane.
Bullgaria u nda në tri pjesë:
-Principata e Bullgarisë: shtet me vetëqeverisje, nën sovranitet formal osman.
-Rumelia Lindore: krahinë autonome, brenda administrimit osman.
-Maqedonia dhe viset jugore: rikthyer nën kontrollin e plotë të Perandorisë Osmane.
Perandoria Austro-Hungareze fitoi të drejtën të pushtojë dhe administrojë Bosnje-Hercegovinën, zyrtarisht ende nën sovranitet osman, por de facto e aneksuar.
Britania e Madhe fitoi Qipron, si garanci për interesat e saj në Mesdheun Lindor.
Rusia, ndonëse fituese në fushëbetejë, humbi pjesën më të madhe të përfitimeve ballkanike, duke ruajtur vetëm disa territore në Kaukaz.
Ku ishin shqiptarët në këtë pazar?
Për shqiptarët, Traktati i Berlinit ishte një grusht në heshtje: një shuplakë diplomatike ndaj një kombi që ende nuk ishte pranuar si i tillë. Çështja shqiptare nuk përmendet në asnjë nen të traktatit. Tokat me shumicë shqiptare iu caktuan si shpërblim fqinjëve më të organizuar, ndërsa vetë shqiptarët u konsideruan të përkohshëm, pa zë, pa përfaqësim.
Pikërisht këtë përjashtim e denoncoi më pas vetë historia me një thënie të atribuar Oto von Bismark, që sipas burimeve të kohës ka deklaruar:
“Shqipëria nuk është komb, por një shprehje gjeografike.”
(Albanien ist kein Staat, sondern ein geographischer Begriff.)
Kjo frazë, e ngjashme me deklaratën e Meternik për Italinë (“Italia është një shprehje gjeografike”), nuk gjendet në protokollet zyrtare, por është cituar në kujtime, ditarë e memoare si përfaqësuese e qëndrimit përçmues të kancelarive europiane ndaj identitetit shqiptar.
Zgjimi shqiptar: Lidhja e Prizrenit
Në një akt të rrallë vizionar, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e krijuar më 10 qershor 1878, pra një muaj para nënshkrimit të traktatit, ishte përgjigjja e parë e organizuar kombëtare ndaj mohimit ndërkombëtar. Qëllimi i saj ishte mbrojtja e tokave shqiptare nga copëtimi dhe kërkesa për autonomi brenda Perandorisë Osmane, në një fazë ku pavarësia nuk perceptohej ende si realiste.
Një traktat me pasojë afatgjatë
Traktati i Berlinit nuk ishte thjesht një akt juridik ndërkombëtar – ishte modeli i një bote që vendoste për të tjerët, pa ta. Për shqiptarët, ai u bë fillimi i një vetëdijeje kombëtare, ndoshta më shumë se çdo frymëzim romantik: një zgjim i detyruar nga padrejtësia.
Historiani britanik A.J.P. Taylor shkroi më vonë: “Nëse Traktati i Shën Stefanit nuk do të ishte ndryshuar, Perandoria Osmane dhe Austro-Hungaria mund të kishin mbijetuar në ditët e sotme.”
Por traktati u ndryshua. Dhe Traktati i Berlinit, ndonëse stabilizoi përkohësisht gadishullin, mbolli farat e krizave të shekullit XX, nga luftërat ballkanike, tek shpërbërja osmane, e deri tek konflikti kronik që Europa do ta quante për dekada: “Çështja e Ballkanit”.