Në Bashkinë e Kukësit janë marrë masa drastike pas analizës së punës për periudhën Janar–Qershor 2025.
Më datë 10 Korrik, kryetari i Bashkisë Kukës vendosi shkarkimin nga detyra të 14 administratorëve të Njësive Administrative dhe 2 nënkryetarëve.
Në njoftimin zyrtar thuhet se qëllimi i këtyre masave është përmirësimi i treguesve të performancës dhe rritja e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.
“Puna do të vijojë me fokus në përmirësimin e sektorëve ku janë konstatuar problematika, si dhe me vëmendje të shtuar ndaj standardeve të shërbimit”, thuhet në reagimin e Bashkisë Kukës.
Njoftimi i Bashkisë Kukës:
“Më datë 10 Korrik 2025, u zhvillua analiza e punës për performancën e institucionit të Bashkisë Kukës për periudhën Janar–Qershor 2025.
Në funksion të përmirësimit të punës dhe rritjes së nivelit të shërbimit ndaj qytetarëve, Kryetari i Bashkisë Kukës vendosi të shkarkojë nga detyra 14 administratorë të Njësive Administrative dhe 2 nënkryetarë të Bashkisë.
Puna do të vijojë me fokus në përmirësimin e treguesve të performancës në të gjithë sektorët ku janë evidentuar problematika, si dhe me vëmendje të shtuar ndaj cilësisë së shërbimeve për qytetarët”, thuhet në njoftimin zyrtar të bashkisë./e.t