Çerçiz Topulli, pushka që nuk heshti për Atdheun

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Një pasdite korriku, kur dielli qëndronte pingul mbi tokë ndërsa tymi i barutit ende errësonte qiellin, një trup luftëtari ra. Nuk kishte më pushkën në dorë, dhe duart i kishte nën pranga, por padyshim emrin e Shqipërisë e mbante në buzë.

Nuk ishte vështirë të kuptohej se ishte një intrige dhe pabesi e madhe.

Ishte 15 korrik 1915. Çerçiz Topulli, kapedani që nuk e njihte frikën, priti në gjoks plumbat e skuadrës së pushkatimit. Bashkë me të ishte dhe atdhetari tjetër, gazetari Muço Qulli. Aso kohe, Çerçizi ishte 35 vjeç dhe u ekzekutua në fushën e Shtoit në Shkodër nga forcat pushtuese malazeze, që kishin hyrë në territorin shqiptar.

Historianët hedhin akuzat nga shovinistët grekë, që me armët e shovinistëve malazezë eleminuan kapedanin, çeta e të cilit vrau dhespot Fotin e Korçës, si shenjë hakmarrje pasi qarqet greke vranë Papa Kristo Negovanin.

Por zhurma e pushkës së tij nuk u fashit. U përhap nëpër histori si krismë që nuk resht së trokituri në ndërgjegjen kombëtare. Ai nuk ra thjesht nga një plumb, por u ngjit në lartësi, atje ku qëndrojnë vetëm ata që jetojnë për të gjithë. Ishte një prej atyre burrave që zgjodhi lirinë përpara jetës.

Nga malet e Gjirokastrës, ku nisi betejën kundër osmanëve më 1907, e deri në përplasjet me trupat greke në Jug në vitet 1913-1914, Çerçiz Topulli ishte jo vetëm armë, por edhe vizion e zjarr që ndizte shpresën e një kombi të përçudnuar nga luftra që nuk mbaronin. Ishte më shumë se një luftëtar: ishte një ide që marshonte mbi male, një flamur i gjallë që nuk u përkul asnjëherë.

Për të përjetësuar këtë jetë, këtë frymë dhe këtë simbol, Kinostudio “Shqipëria e Re” realizoi në vitin 1979 filmin “Liri a Vdekje” – një epope kinematografike që nuk shfaq vetëm historinë e një heroi, por ngre një monument për një brez të tërë luftëtarësh. Rolin e Çerçiz Topullit e interpreton aktori Timo Flloko, i cili nuk e portretizon vetëm kapedanin, por bëhet njësh me të. Në çdo shikim të ngulët, në çdo rrudhë mendimi, në çdo britmë për liri, Flloko nuk aktron – ai jeton Çerçizin.

Në ekran, zëri i tij jehoi:

– “Erdhi ora jonë, o trima. Me besa-besën. Ua njoh të gjithëve trimërinë. E di që secilit i vlon gjaku për hakmarrje dhe dora nuk i dridhet. Por ne kemi vendosur që për binbashin të shkojë Hito Lekdushi me Bajram Prongjinë…”

Janë fjalët e një njeriu që nuk njeh frikë, që udhëheq jo nga prapavija, por nga maja e frontit.

Në një tjetër skenë, mes një rrethimi, komandanti armik, me flamur të bardhë, i ofron dorëzimin:

– “Kapedan Çerçiz Topulli! Hidhi armët ti dhe djemtë e tu. Nuk dua që të vriteni. Në emër të Allahut zotohem t’u fal jetën. Dhe Padishahu do të japë pozita për ty dhe për njerëzit e tu!”

Por përgjigjja është aq e qartë sa heshtja e një mali:

Lexo edhe :  Fanfarë dajash dhe tezesh si alternativë e politikës së vjetër

– “Largo taborët, Latif Aga, dhe lëri djemtë e mi të shkojnë. Ne nuk jepemi, se jemi bijtë e Skënderbeut që luftojmë gjer në orën e fundit. Shqiptari di të vdesë sipas zakonit – me nder për mëmëdhenë!”

Pas kësaj, kapedani u kthye nga djemtë e çetës së tij dhe tha:

– “Këtu bëhet luftë. E kjo luftë u takon burrave. Mbushni armët, or trima!”

Filmi, me regji të Ibrahim Muçajt dhe Kristaq Mitros dhe me skenar të Vath Koreshit, është një poemë e gdhendur në celuloid, për një jetë të shndërruar në legjendë. Ai nuk tregon thjesht një radhitje ngjarjesh, por është një përjetim emocional – një kalvar burrërie, sakrifice dhe vendosmërie.

Sepse Çerçiz Topulli nuk lindi për t’u përkulur.

Dhe kënga që u ngrit atë çast, kaloi gojë më gojë:

Te Rrapi në Mashkullorë,

Foli Çerçizi me gojë,

Turku këtej të mos shkojë,

Se i kuq, i  bëj me bojë, 

Mylazim largo taborë,

Leri djemtë e mi të shkojnë. 

Çerçiz Topulli më thonë

I lindur në Gjirokastër më 1880, ai u rrit me jehonën e legjendave dhe u bë vetë një legjendë. Bashkë me të vëllanë, Bajo Topullin, organizoi çetat kryengritëse në Jug, vrau komandantin turk të Gjirokastrës më 1908 dhe i tregoi Perandorisë se shqiptarët nuk ishin më nënshtetas të saj, por zotër të tokës së vet.

Pas shpalljes së Pavarësisë, kur shumë pushkë u ulën, ai nuk e hoqi dorën nga brezi me vezme e pisqollë. Luftoi kundër copëtimit të vendit nga fqinjët, mbrojti kufijtë e Jugut nga grekët, dhe pastaj vrapoi drejt Veriut, ku shqiptarët po binin nën çizmen malazeze. Dhe atje, pranë fushës së Shtoit, përballë taborëve të armikut, ai u bë pjesë e dheut që e deshi me gjithë zemër.

Por legjendat nuk mbyllen me plumb. Ato mbeten të hapura në rrëfime, në këngë, në filma, në flamuj që valëviten dhe në rrugë që mbajnë emrin e tyre. E tillë është edhe historia e Çerçiz Topullit. Pushka e tij heshti më 15 korrik 1915. Por fjala, ideali dhe guximi i tij nuk pushuan kurrë.

Më 1937, eshtrat e tij u kthyen në Gjirokastër – në qytetin ku nisi rruga dhe ku prehet sot, si një flamur i palosur në zemrën e Shqipërisë. Dhe kurdoherë që një brez i ri kërkon kuptimin e fjalës atdhe, le të dëgjojë zërin e Çerçizit, që nuk pranoi pozitë, nuk pranoi falje, por zgjodhi të jetojë në përjetësi me një fjalë të vetme:

Liri a vdekje!

 

Të fundit

Zjarret në Ballkan, mijëra hektarë tokë në flakë

Gjatë dhjetë ditëve të fundit, shumë zona në Bullgari janë përfshirë nga flakët. Popullsia po njoftohet për zjarret përmes...

Pas flamurit në Suharekë, tani edhe Skënderbeu lyhet në Prizren

Shtatorja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Prizren është dëmtuar. Përkrenarja dhe shpata e heroit kombëtar janë lyer me ngjyrë floriri. Kjo shtatore u vendos...

PD bllokon mandatet në shtator? Çollaku jep paralajmërimin

Kreshnik Çollaku thotë se Partia është në situatë tepër të vështirë pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit. “Në një demokraci normale, ata që...

Kodi i ri penal, Berisha: Atentat ndaj fjalës së lirë

Sali Berisha iu rikthye denoncimit të draftit të Kodit tëri Penal, duke e cilësuar dokumentin e hartuar nga Qeveria, si favorizues të mafies dhe...

Paralajmëron Balluku: Nesër afati i fundit për bizneset…

Data 31 korrik është afati i fundit për të gjitha subjektet tregtare të vendosura pranë akseve kombëtare që të zhvendosen vetë nga hapësira që...

Lajme të tjera

Web TV