Batuta, ilaçi i shqiptarëve për t’i thënë vetes “mos u mundo”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

“O, ç’u kënaqëm!”

Kaq ishte. Kjo është amalgama e reagimit të shoqërisë, analistëve dhe aktorëve të ndryshëm politikë (kryesisht periferikë, se të mëdhenjtë kanë punë të mëdha) për temën e 48 orëve të fundit në Big Brother VIP Politika, Endri Shabani vs. Adriatik Lapaj.

Njëri ka zili tjetrin, nuk ia duron dot famën dhe suksesin, kështu që aktivizon modalitetin “dajë” për ta penguar që të marrë mandatin. Tjetri mendon se po sulmohet nga gjithë bota dhe se nuk ekziston asnjë variant tjetër përveç atij që servir ai. Dikur miq, kolegë dhe bashkëluftëtarë në beteja publike; sot armiq të përbetuar për një “copë mandati”, term i përdorur nga vetë ata.

Po, e morëm lajmin e fundit. Politikanët e rinj janë të papjekur dhe nuk e ndajnë dot gjakun e ndezur të betejave personale me detyrën që duhet të marrin përsipër për 5-10 vitet e ardhshme, sjelljen si politikanë të vërtetë dhe jo si adoleshentë.

Problemi, fatkeqësisht, nuk është dueli i tyre në arenën e Fejsbukut. Jemi mësuar me karikatore tastierash ndër vite. Problemi është diku tjetër.

Të gjithë po gajasemi dhe po kënaqemi. Po e shijojmë. Mezi presim të dëgjojmë perlën e radhës, sikur po ndjekim serinë ditore të telenovelës “Paloma”. Mjaftohemi me kaq. Duam që “Portokallia” të mos mbarojë kurrë. Jo ajo e Top Channel-it, por kjo e jetës sonë të përditshme, me fixhanin e kafes në dorë.

“O, ç’u kënaqëm!”

Po, u kënaqëm shumë… duke u renditur të fundit në të gjitha statistikat europiane, duke humbur 500 mijë vëllezër e motra në emigrim gjatë një dekade, me shkolla bosh e spitale plot. Po rrisim brezin e ri më të paaftë dhe injorant në kontinent (me shifra zyrtare, jo mendim në tym). Të gjithë e dimë se jemi fundi i kontinentit, por për ne kjo nuk ka rëndësi. Shijojmë momentin: diell, cigare dhe “kush tha, pse e tha dhe kujt ia tha”.

80% e komenteve në rrjetet sociale për konfliktin Shabani-Lapaj nuk janë reflektime, kritika apo kërkesë llogarie. Janë thjesht batuta. Të njëjtën gjë bëjmë edhe kur dëgjojmë për ndonjë skandal shtetëror. Pse e bëjmë këtë?

Lexo edhe :  Shteti i Muçit përballë Bardhës së Rigonit

E bëjmë, sepse secili prej nesh dëshiron t’i mbushë mendjen vetes se ky është fati ynë i parapërcaktuar dhe se të gjithë jemi njësoj. Nuk na shkon ndërmend të jemi kërkues, sfidues dhe ta nisim akuzën te vetja. Jo. Duam gjahun e radhës. Mundësisht, sa më larg vetes.

Mirë do të ishte të reflektonim, të bënim pyetje, të thelloheshim. A ka të rinj Shqipëria që mund të sjellin një politikë ndryshe? Ku ngecëm? Pse nuk prodhojmë asgjë (në të gjitha fushat)? Pse jemi kaq shterpë? Cilat janë mënyrat e vetëkorrigjimit? A ua dhamë mjaftueshëm shansin të rinjve? A ishim “gjallë” ditën e zgjedhjeve? A i kërkuam llogari qeverisë? A dimë t’i kundërpërgjigjemi drejtorit të bashkisë? A po i edukojmë fëmijët që të bëhen edhe më të mirë se ne? A po kontribuojmë në shoqëri me ndonjë element sado të vogël? Më lehtë, a na shkon ndërmend të trokasim diku për të propozuar më të mirin e lagjes, fshatit apo qytetit në një strukturë partiake? A shkojmë ne pas të mirëve? Mos vallë e kemi humbur busullën? A udhëhiqemi nga vlerat?

Jo. Nuk dëgjon reflektime të tilla në këtë vend. Ka vetëm një përgjigje automatike: batutë, batutë, batutë. Kjo është lëvozhga jonë e paturpësisë dhe shtirjes, me të cilën mbulohemi për të mos e thënë kurrë publikisht të vërtetën: ne jemi rehat duke qenë të pandreqshëm. Kjo na mban gjallë. Kaosi, zhurma, llumi, skandalet. Jo se jemi të gjithë njësoj, por sepse të mirët i kemi larguar, kurse shumë të tjerë thjesht pranojnë të bëhen njësoj. Pranojnë, sepse është rruga më pak e dhimbshme. Një batutë do 3 sekonda për t’u thënë, kurse një qëndrim i denjë do sakrificë dhe shumë kohë.

Shabani e Lapaj, ju jeni ne. Ne jemi ju. Secili për vete, Zoti për të gjithë.

Të fundit

Luçiano Boçi i shqetësuar: Rama po na josh dhe merr njerëzit tanë!

Deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi tha në studion e MCN se ikja e Genc Deromemajt në Vlorë i...

Rama: Në fund të dekadës, Shqipëria të mos përdorë cash

Qeveria Shqiptare synon që në fund të dekadës, vendi ynë të mos përdorë para cash, por transaksionet financiare të jenë të gjitha dixhitale. Në takimin...

23-vjeçari shqiptar sherr me asistenten e fluturimit, avioni bën ulje emergjente (Emri)

Një aeroplan që fluturonte nga Omaha për në Detroit u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një pasagjer shqiptar u përpoq të hapte...

Polici hero shpëton shoferin që po pësonte atak kardiak

Një ngjarje dramatike është regjistruar në Joplin, Misuri të Amerikës, ku një polic shpëtoi jetën e një drejtuesi që po pësonte atak kardiak në...

I vdiq burri në banesë, 47-vjeçarja akuzon mjekët se nuk e diagnostikuan si duhet

Një 47-vjeçare nga Kolonja ka kallëzuar në Polici stafin mjekësor të klinikës ku kishte kryer analizat bashkëshorti i saj, i cili i ndërroi jetë...

Lajme të tjera

Web TV