Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime dhe shtesa të rëndësishme në programin e nxitjes së vetëpunësimit, me qëllim që të mbështesë më tej sipërmarrjet e reja. Ndryshimi kryesor është rritja e grantit të ofruar për ngritjen e biznesit, si dhe përcaktimi i kritereve dhe procedurave të reja për aplikantët.
Çfarë ndryshon për aplikantët?
Masa e subvencionimit për ngritjen e biznesit rritet ndjeshëm, duke arritur deri në 1 000 000 (një milion) lekë.
Sipas vendimit, punëkërkuesit të papunë nuk duhet të kenë marrë pjesë në programet e nxitjes së punësimit në 5 vitet e fundit.
“Aplikimi për programin do të bëhet tani ekskluzivisht online, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”.”, thuhet në vendim.
Sa i përket ndryshimeve në dokumentacion, kërkohet paraqitja e një “Vërtetimi për individ të paregjistruar”, ndërsa afatet kohore për disa procedura të procesit të aplikimit zgjaten nga 5 në 10 ditë pune.
Përveç këtyre, vendimi rrit edhe vlerën e një subvencioni tjetër më të vogël, nga 3 000 në 5 000 lekë./kb