S’mund t’i besosh Shqipërinë dikujt që s’i beson askujt

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Mero Baze

Debati mes dy partnerëve në koalicion, Endri Shabanit dhe Adriatik Lapajt, është pasojë e qartë e mosbesimit politik mbi të cilin është ndërtuar koalicioni i tyre. Dhe duke qenë një koalicion i ndërtuar mbi mosbesimin politik ndaj palëve, dështimi nuk është lajm, por pasojë e pashmangshme e papjekurisë politike të tyre.

Së pari, nuk shikoj ndonjë besëprerje të Shabanit ndaj Lapajt, bazuar te deklaratat paraprake që kanë bërë. Bazuar në ato deklarata, mund të themi që kemi një besëprerje të Lapajt ndaj të tjerëve, pasi ai e pati deklaruar që “nëse marrim një mandat, unë nuk do ta marr atë”. Ai u tërhoq nga kjo deklaratë. Në momentin që kreu i koalicionit tërhiqet nga deklaratat e tij paraprake, të gjithë kanë të drejtë ta bëjnë këtë.

Së dyti, debati me Shabanin nuk ka kuptim, pasi ai nuk po kërkon mandat deputeti. Debati ka kuptim me personat fiktivë që kanë futur në listën e sigurtë. Unë nuk di cilat janë raportet konfidenciale mes kandidatëve fiktivë dhe Lapajt e Shabanit, por vetë mbushja e listës me kandidatë fiktivë tregon një koalicion të bazuar mbi taktika hileqare dhe jo mbi parime.

Të njëjtin gabim e tentoi në fillim dhe Shehaj, por e korigjoi, dhe sot është me dy deputetë në Kuvend, ndërsa Qori vendosi me vetëdije dikë para tij, por nuk po i thotë “dorëhiqu”, por po qëndron jashtë Parlamentit për të paguar çmimin e taktikës që ndoqi.

Në këtë pikë, edhe Lapaj e Shabani duhet të paguajnë çmimin e taktikës që ndoqën. Vunë njerëz anonimë apo të afërm të tyre, tani le të paguajnë koston e falsitetit. Asgjë nuk do të ndodhte më keq se kaq nëse do të ishte i pari Lapaj dhe i dyti Shabani në listën e mbyllur. Ndoshta mund të merrnin më shumë deputetë në Tiranë. Megalomania dhe patetizmi i shpifur, shoqëruar me taktika të vogla, natyrisht që i sjell në këtë gjendje, ku duhet të paguajnë çmimin e “hileve” të tyre të vogla.

Lexo edhe :  “Në anën e duhur të historisë?”

E sigurtë është që ata nuk kanë qenë në gjendje të zgjidhnin mes dy vetëve kush do ishte i pari, dhe vunë 12 të tjerë para tyre për ta maskuar këtë. Tani natyrisht do ta paguajnë.

Së fundmi, duket që Lapaj ka ngjallur mosbesim jo vetëm te partia partnere e Shabanit, por edhe te kandidatë që ishin brenda partisë së tij, afër fitores, siç është rasti i Duleviçit në Fier, që humbi për disa qindra vota. Dhe ai në fund u zemërua, pasi kuptoi se qëndrimi i Lapajt ndaj tij nuk ka qenë transparent. Kjo tregon shumë: se patetizmi nga një anë dhe hilet nga ana tjetër ndërtojnë kështjella prej rëre, por jo besim.

Kjo është edhe drama e një rasti të humbur, kur mbi 60 mijë vota nuk çojnë dot në Kuvend as dy drejtuesit e koalicionit, pasi gjithë koalicionit i mungonte strategjia e eficencës së votës, parimet e mirëbesimit publik, ku dy kryetarët duhet të udhëhiqnin garën, dhe mbi të gjitha i mungonte besimi tek njëri-tjetri.

Dhe ky është një shembull që tregon se, pavarësisht se pretendojnë që “Shqipëria bëhet”, ti nuk mund të bëhesh dot politikan me çdo gjë false: edhe me parime false, edhe me taktika false, edhe me raporte hipokrite me njëri-tjetrin. Dhe ata që nuk bëjnë dot një koalicion bazuar mbi mirëbesimin, nuk mund të bëjnë dot as Shqipërinë. S’mund t’ia besosh Shqipërinë dikujt që s’i beson askujt./kb

Të fundit

Vuçiç pi birra dhe dorovit muzikantët nën ritmet e këngës çetnike

Të martën, në Serbi u mbajt një festë e madhe me rastin e hapjes së seksionit Pakovraće-Pože në autostradën...

Kulmi i të nxehtit historik, lagjet e Tiranës 24 orë pa ujë

Furnizimi me ujë, sidomos në këto ditë më temperatura përvëluese është një domosdoshmëri. E kundërta raportohet në një nga lagjet më të populluara në...

SHBA-BE, pranë marrëveshjes prej 15% për tarifat tregtare

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se janë pranë finalizimit të një marrëveshjeje tregtare, e cila do të vendosë tarifa doganore...

Vrau 4 studentë, dënohet me burgim të përjetshëm 30-vjeçari

Një 30-vjeçar që vrau katër studentë të Universitetit të Idahos në SHBA, në nëntor të vitit 2022 është dënuar me burgim të përjetshëm, pasi...

Joz Marku: “Loredena ka marrë një rrugë jo të mirë…”

Iftuar sot në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ka qenë Jozefin Marku. Ish-banori i edicionit të katërt të “Big Brother VIP” ka...

Lajme të tjera

Web TV