Ka nisur takimi i Kryeministrit Edi Rama me deputetët dhe kandidatët për deputetë të 11 Majit, si dhe me drejtorët e Bashkisë së kryeqytetit, me fokus aksionin për lirimin e hapësirave publike.
Kreu i qeverisë bëri me dije se deri më tani, vetëm në territorin e Bashkisë Tiranë janë inventarizuar 1463 problematika, nga më të ndryshimet, por pjesa më e madhe lidhen me lirimin e hapësirave publike.
Numri një i qeverisë u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë durim në pritjen për zgjidhjen e problematikave të shprehura, ndërsa u kërkon të mos ndalojnë ankesat.
“Një rilindje urbane 2.0. Kjo përmbledhje këtu ka 1463 çështje të identifikuara. Shumica janë të lidhura me zonën e hapësirës publike dhe prekin praktikisht jetën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Bashkinë e Tiranës. Dua të falenderoj IKMT Tiranë që po bën një punë intensive dhe po përpiqet që t’i adresojë problematikat në mënyrën e duhur. Volumi është tejet i madh dhe duhet t’u them edhe qytetarëve që është shumë e qartë që kanë krijuar një lloj pritshmërie dhe çojnë vazhdimisht ankesat e tyre. Të gjitha do të adresohen, por duan pak kohë, edhe për faktin që edhe në shumë raste kur IKMT duhet se erdhi në bllok, bëri gjë, lihet procesverbal, njoftime, u lihet mundësia që atyre që largohen, t’i çmontojnë vetë. Ka filluar e njëjta gjë edhe një pjesë te qytetet e tjera, Durrës, Shkodër, që i kam parë edhe më afër edhe për shkak të detyrimit si deputet dhe për shkak të situatës që ngriti siparin e kësaj përpjekjeje që u krijua me ndërtimet e paligjshme në Theth. Për të mos u zgjatur nga ana ime në këtë pjesë, dua vetëm t’ju informoj që kemi një axhendë të ngjeshur, pasi kemi disa grupe pune. Është në radhë të parë ky grup i madh i këtyre deputetëve që janë kthyer në terren. Përveç kësaj skuadre janë edhe një sërë të tjera, janë disa grupe pune: një grup që drejtohet nga zv.kryeministri në lidhje me analizën e shërbimeve në Bashkinë e Tiranës, një grup që koordinohet nga Ministria e Financave lidhur me analizën e financave, një grup që koordinohet nga drejtues”,- tha Rama.
Ky është takimi i dytë i Kryeministrit Rama me deputetët dhe drejtuesit e Bashkisë Tiranës. Takimi zhvillohet në Hotel Tirana./e.t