Mirel Josa rikthehet në Superiore pas më shumë se një viti.. Ai do të marrë drejtimin e skuadrës së Bylisit i cili shpëtoi rënies në javën e fundit. Ai do të pasojë Gentian Mezanin i cili sipas klubit ballshiot do të largohet në Itali për shkak të impenjimeve familjare gjatë kësaj periudhe./ D.C
POSTIMI I PLOTË
NJOFTIM!
FK Bylis ka kënaqësinë të njoftojë uljen e trajnerit të mirënjohur, Mirel Josa në stol.
Skuadra jonë i beson drejtimin trajnerit me më shumë trofe në historinë e futbollit shqiptar, të mirënjohurit Mirel Josa. 62-vjeçari do të pasojë në këtë detyrë Gentian Mezanin, i cili pati një rol deçiziv në mbijetesën e Bylisit në sezonin e shkuar, duke shmangur edhe “Play-out”, por që për shkak të impenjimeve familjare gjatë kësaj periudhe do të largohet në shtetin fqinj Itali edhe me konsensusin e presidentit Besnik Kapllanaj, nisur edhe nga miqësia mes dy palëve. Për Mirel Josën, Bylisi regjistron kapitullin e 21-të në karrierën e tij, me më shumë se dy dekada, ku ka fiksuar rezultate shumë të mira që kulmojnë me rekordin e trofeve të fituar, plot 12, 5 tituj kampion, 4 kupa dhe 3 superkupa. Të mërkurën, trajneri i ri do të prezantohet para skuadrës dhe do të nisë menjëherë nga puna. I urojmë mirëseardhjen trajnerit të ri Mirel Josa, njëkohësisht e falënderojmë edhe Gentian Mezanin, për punën e mirë që ka bërë në skuadrën tonë!