Granit Xhaka i ka komunikuar klubit të tij aktual, Bayer Leverkusen, se dëshiron të transferohet te Sunderland, raporton gazetari i njohur David Ornstein për “The Athletic”.
Mesfushori shqiptar ka arritur tashmë marrëveshje për kushtet personale me klubin e rikthyer në Premier League dhe është i fokusuar vetëm te kalimi në “Stadium of Light”.
Megjithëse ende nuk ka marrëveshje mes klubeve, negociatat po vazhdojnë dhe Xhaka i ka kërkuar drejtuesve të Leverkusenit që të përshpejtojnë transferimin.
Raportimet për interesimin e Sunderlandit për Xhakën u shfaqën javën e kaluar, por në atë kohë thuhej se klube nga Arabia Saudite ishin gjithashtu në garë për të.
🚨 EXCL: Granit Xhaka informs Bayer Leverkusen he only wants to join Sunderland as club-to-club talks continue. Agreement now in place between 32yo & #SAFC. #Bayer04 asked by Switzerland midfielder to close deal rapidly. Negotiations ongoing @TheAthleticFC https://t.co/spjmXUgbLL
— David Ornstein (@David_Ornstein) July 22, 2025
Sipas The Athletic, ofertat saudite ishin më të mëdha financiarisht, si për Leverkusenin ashtu edhe për vetë lojtarin, por dëshira e Xhakës është që të rikthehet në Premier League.
Ai ka ende kontratë me Leverkusenin deri në vitin 2028, çka i jep klubit gjerman një pozicion të fortë negociues për të përfituar nga shitja e tij.
Granit Xhaka kaloi shtatë sezone te Arsenali nga viti 2016 deri më 2023, përpara se të kalonte te Leverkuseni, ku fitoi titullin e Bundesligës sezonin e kaluar. Një rikthim në Angli do të ishte befasues, por i mirëpritur nga shumë tifozë./ D.C