Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, njoftoi në një postim në Facebook se bashkitë do të përfitojnë nga ankandet ndërkombëtare të energjisë së rinovueshme.
Sipas saj, autoritetet lokale janë të angazhuara për të identifikuar tokat e pafrytshme për bujqësi dhe të papërdorshme për zhvillime urbanistike, të cilat do të vendosen në dispozicion për zhvillimin e projekteve energjetike.
Bashkitë do të kenë rol aksioner në këtë proces, që pritet të sjellë më shumë përfitime për qytetarët dhe të çojë Shqipërinë drejt statusit të eksportuesit neto të energjisë brenda vitit 2030.
“Bashkitë mund të përfitojnë nga ankandet e energjisë së rinovueshme. Kemi kërkuar nga pushteti vendor, identifikimin e tokave të pafrytshme për bujqësi dhe të papërdorshme për zhvillime urbanistike, të cilat do të vendosen në dispozicion për zhvillimin e ankandeve ndërkombëtare të energjisë së rinovueshme. Bashkitë do të jenë aksionere në këtë proces. Më shumë përfitime për qytetarët. Shqipëria, eksportues neto i energjisë brenda vitit 2030”, ka shkruar zëvendëskryeministrja Balluku./kb