Dubai pritet të sjellë sot (23 korrik) në pranga një tjetër të shumëkërkuar të drejtësisë. Bëhet fjalë për Denis Bajroviç (Bajri), ndaj të cilit GJKKO ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për vrasje me paramendim në bashkëpunim, grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje.
Gjithsej ndaj tij rëndojnë 5 akuza të rënda të ngritura nga SPAK dhe që kanë të bëjnë me aktivitetin e grupit të Bajrave të Shkodrës. Bajri u arrestua më 27 shkurt 2024 në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë të Interpol Tiranës me Interpol Abu Dhabi dhe me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Ëanted”, pritet që gjatë ditës së sotme të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, të shtetasit shqiptar D. B., 37 vjeç, shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, i akuzuar për një sërë veprash penale në fushën e krimeve kundër personit, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe për armëmbajtje pa leje”, njoftoi policia ditën e sotme.
Më tej sqarohet se Bajri ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale: “vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “grupi i strukturuar kriminal”; “lryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.
Policia bën me dije se detajet e ekstradimit mbahen sekret dhe në lidhje me orën e mbërritjes, do të ketë një njoftim tjetër./kb