Nga Leonard Veizi
Truri, – kjo qenie misterioze që rri në majë të shtyllës kurrizore si mbret pa kurorë, por me pushtet absolut mbi çdo mendim, ndjesi apo marrëzi tonën, – më në fund ka një ditë që i përket veç atij.
22 Korriku: Dita Botërore e Trurit. Njihet si një nga ato datat ndërkombëtare që zakonisht kalojnë pa bujë, përveçse në ndonjë simpozium të përgjumur ku fjalimet lexohen me ton monoton, ndërsa truri i dëgjuesve mundohet të gjejë arsyen se pse nuk është në plazh për pak relaks.
–Dajo, për ç’sëmundje tjetër e rekomandojnë plazhin? – pyeste Alberi me gradë shkencore në fizikë, dajë Zenon, tek komediat “Shi në plazh” e Teodor Laços. Dhe përgjigja ishte:
-Për vidat. Kur të lirohen dhe pastaj del nga binarët e harbon pa fre, si mëz, ahija… ku rrafsha mos u vrafsha.
Në thelb, kjo ditë është një ngjarje globale që synon ndërgjegjësimin për sëmundjet neurologjike, kujdesin ndaj trurit dhe promovimin e kërkimit shkencor për të gjitha moshat.
–Jo për nder nuk është në terezi ky. E pashë që në drekë, fliste me vete, – u thoshte Beso shoferi shokëve të tij më të afërt tek “Rrethimi i vogël”, për doktorin e dhive Agron Beshorin që ishte emëruar Kryetar i Komitetit Ekzekutiv,
Mirëpo, le të jemi të ndershëm: kjo është një ditë që kremtohet vetëm nga ata që kanë tru. Për të tjerët që ecin mes nesh, kjo është thjesht një ditë e nxehtë korriku, ku mund të fajësosh vapën për çdo budallallëk që të del nga goja. Siç ndodh rëndom kur dikush në mes të ditës nxjerr nga goja ndonjë sentencë si: “Po lëre mor burrë i dheut, këtu s’të duhet truri, por vetëm pak guxim budallai!”.
-Lojti nga fiqiri.
-Se kam parrë kurë kështu.
-S’ka faj i shkreti, u bë gazi i botës, – diskutonin qehajatë e Nuri beut tek filmi “Koncert në vitin 1936”, që ishtë bërë keq e si delte inati nga që vajza e Pandeli Prokopit po i këndonte Këngën e Kongresit, më mes të mëxhlisit.
Ka plot që e kanë zëvendësuar trurin-n me stomakun apo më keq, me këmbët. Mjafton t’u shohësh mënyrën si e drejtojnë makinën, si flasin për politikën, si komentojnë lajmet në facebook.
Por mos u ndjeni keq nëse nuk festoni. Kjo ditë nuk është si Pashkët apo Bajrami që kërkon kurban a vezë të lyera. Është një ditë për reflektim – nëse keni me çfarë të reflektoni. Në mos tru, të paktën një pasqyrë.
Nëse do ta trajtonim si festë, atëherë do kishim ndarë sofrën me pilaf e përshesh me lëng nga mishi i qengjit, speca të mbushura, tarator të ftohtë, të brendshme në zgatime, por jo tru të fërguar. Se ky i fundit është kthyer në relike mjekësore — s’gjen më as në thertore. Dhe si ëmbëlsirë do shpërndanim revani dhe hasude. Për pije? Një gotë verë që e bën trurin të harrojë, një raki që e shkatërron, e një birrë që të kujton pse s’duhej të kishe pirë që në mëngjes. Po për efekt shëndeti mendor? Këto pije i bie të jenë si nafta për motorin e benzinës.
-Na falni se kemi tetën pak si pa qejf… Po edhe Sandri s’para mbush. Domethënë si punojnë tëra kandelet njëlloj. Atij sikur i punon gjysma e trurit për shifrat e planet. Këtë gjysmën tjetër këtej, plloçë ma ka, asfalt e ka, – përpiqej Jovan Bregu i “Pallatit 176” që të largonte Irenën e zyrës nga nipi i tij Alekandër që ishte dhe kryeinxhinieri i ndërmarrjes.
Këtë vit, Dita Botërore e Trurit shënoi përvjetorin e 12-të të saj. Fushata është përqendruar tek një ideal fisnik: “Shëndeti i trurit për të gjitha moshat”. Nga vogëlushi që luan me tablet si të kishte lindur me gishtat në tastierë, deri tek plaku që pyet “ku jam?”, e më pas “pse jam këtu?”, truri meriton kujdes.
Dhe jo vetëm kur nuk punon siç duhet, por edhe përpara se të japë sinjale të zbehta alarmi si “më duket se harrova ku lashë çelësat” apo “ç’ishte fjala që kisha në majë të gjuhës?”
Në manualin e shëndetit mendor shkruhet me germa të bardha mbi letër të zakonshme:
“Shëndeti i trurit duhet të ketë prioritet gjatë gjithë jetës, nga fëmijëria deri në pleqëri.”
Por në praktikë, prioritet mbetet dieta për “six pack”, flokët me xhel, rrobat firmato dhe ndjekësit në TikTok.
Dhe këtu vjen edhe paradoksi ynë kombëtar: kemi fëmijë që dinë të bëjnë “duet” në TikTok por nuk dinë të thonë një fjali të saktë në shqip. Kemi të rritur që flasin për universitetin si për ushtrinë që duhet mbaruar me çdo kusht, dhe pensionistë që kujtojnë gjithçka… përveç emrit të djalit të tyre.
Pra, nëse sot keni menduar për diçka të thellë, keni vënë në dyshim diçka që duket te sigurt për të gjithë, ose keni ndalur të pyetur “pse?”, atëherë urime: e keni një tru funksional. Dhe duhet ruajtur si pasaportë biometrike në xhep, sepse këto kohë, truri është mall i rrallë.
Në të kundërt – ç’të themi – 22 korriku për ju është thjesht një datë tjetër në kalendar. E nxehtë për shkak të stinës së verës dhe të ngrohjes globale. Po më shumë se kaq… një ditë tjetër ku truri shkon me leje pa pagesë.