Kreu i i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori, ka përsëritur distancimin e tij politik nga dy partitë e mëdha, PS dhe PD, duke theksuar se Lëvizja Bashkë përfaqëson një alternativë të re.
Qori, ishte i ftuar në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC Neës ku deklaroi se forca që ai përfaqëson do të ketë me siguri një kandidat për Bashkinë e Tiranës në rast të zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa kërkoi sërish shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Nuk kemi asnjë gjë të përbashkët as me qeverinë dhe as me opozitën. Kështu që ne jemi të distancuar nga çdo element i së keqes që na ka mbytur prej dekadash. Është një pluralizëm i ideve të ngushta, por jo i popullsisë. Nuk e di nëse do të ketë zgjedhje në Tiranë. Ajo që Lëvizja Bashkë ka në dorë është që me siguri do të ketë kandidatin e vet në Bashkinë e Tiranës, nëse do të jem unë apo dikush tjetër ka kohë. E sigurt është që ne do të bëjmë të njëjtën fushatë të pazakontë, kudo të na vijë rasti. Ne vazhdojmë të kërkojmë shkarkimin e Erion Veliajt, e kemi kundërshtuar në çdo hap të tij. Për ne është gjë pozitive që Veliaj është duke u hetuar. Për ne Veliaj duhet të shkarkohet dhe Tirana të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, u shpreh Arlind Qori. m.p.