Një grua në Britaninë e Madhe ka përfunduar në spital me simptoma të rënda, pasi bëri një trajtim të zakonshëm anti-rrudhë duke besuar se po merrte injeksione Botox.
Nicola Fairley, 42 vjeç, është një nga dhjetëra pacientë që janë prekur nga botulizmi, një sëmundje shumë e rrallë dhe potencialisht vdekjeprurëse, pasi u injektuan me produkte të dyshuara si të palicencuara.
Ajo kishte fituar një konkurs në Facebook për trajtim estetik në tre zona të fytyrës dhe iu drejtua estetistes së saj të zakonshme. Por vetëm disa orë pas injeksioneve, nisi të ndiente mpirje në fytyrë, vështirësi në të folur dhe paaftësi për të gëlltitur.
“Brenda dy apo tre orësh, balli dhe anët e syve të mi filluan të mpihen. Në fillim mendova ‘mahnitëse’, pikërisht këtë doja, por pastaj nuk ndaloi më”, tha ajo.
Në urgjencën e spitalit në Durham, ajo u takua me disa pacientë të tjerë që kishin simptoma të ngjashme. Mjekët ishin të habitur.
“Ata menduan se kisha pësuar një goditje në tru”, thotë ajo.
Mësohet se të gjithë pacientët kohët e fundit kishin bërë injeksione anti-rrudhë që përmbanin toksinën botulinike.
Zyrtarët e shëndetësisë besojnë se bëhej fjalë për produkte të importuara dhe të paligjshme.
Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar ka konfirmuar deri tani 38 raste botulizmi të lidhura me injeksione kozmetike me toksinë.
Rastet filluan në pjesën verilindore të Anglisë, por tashmë janë raportuar raste edhe në Lindjen e Anglisë dhe në East Midlands.
Prej vitesh bë Angli po zhvillohen konsultime për të rregulluar industrinë estetike, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete.
Qeveria britanike shprehet se planifikon të rregullojë disa procedura, por nuk ka deklaruar ende se si apo kur do ta bëjë këtë.