Të dielën në mëngjes, Izraeli deklaroi se do të nisë një “pauzë humanitare” të përditshme në tre zona me popullsi të dendur të Rripit të Gazës, në përpjekje për të lehtësuar krizën e thellë humanitare që ka përfshirë territorin, ndërsa përballet me presion të shtuar ndërkombëtar për të siguruar më shumë ndihmë.
Masat e shpallura përfshijnë rifillimin e dërgesave me ndihma nga ajri, hapjen e korridoreve humanitare dhe aktivizimin e një impianti për shkripëzimin e ujit, për të ndihmuar në shpërndarjen më efikase të ndihmës së OKB-së.
Kriza e urisë në përshkallëzim
Sipas Programit Botëror të Ushqimit (WFP), Gaza është zhytur në një krizë të plotë urie, ku dhjetëra vetë kanë humbur jetën nga uria javën e fundit. 90,000 gra dhe fëmijë kanë nevojë urgjente për trajtim kundër kequshqyerjes, ndërsa një në tre persona raportohet se kalon ditë të tëra pa ushqim.
Mjekët në Gaza janë të mbingarkuar. Dr. Ahmad al-Farra, drejtor i pediatrisë në kompleksin mjekësor Nasser, tha: “Reparti ynë i kequshqyerjes është jashtëzakonisht i mbipopulluar. Fëmijët detyrohen të flenë në dysheme për mungesë hapësire.”
Ndihma – e pamjaftueshme dhe e vonuar
Ndërsa pauzat humanitare pritet të ndihmojnë në rritjen e ndihmave që arrijnë në territor, organizatat humanitare paralajmërojnë se kjo nuk është e mjaftueshme. Numri i kamionëve që do të lejohen të hyjnë nuk është saktësuar, ndërsa grupet e ndihmës theksojnë nevojën për një armëpushim të plotë.
Juliette Touma nga UNRWA deklaroi se: “Duhet të kthehemi në nivelin e mëparshëm të ndihmave gjatë armëpushimit, me 500–600 kamionë në ditë.” Aktualisht, UNRWA ka rreth 6,000 kamionë me ndihma në pritje në Jordani dhe Egjipt, por aktiviteti i saj në Gaza është ndaluar që nga janari.
Reagimi në Gaza: Shpresë e kujdesshme
Banorët në Gaza presin me kujdes zhvillimet, duke mbetur skeptikë pas shumë premtimeve të parealizuara për armëpushim. Për momentin, ndikimi në terren është i kufizuar. Një ndryshim i vetëm i vërejtur është ulja e çmimit të miellit me 20%.
Megjithatë, mjekët paralajmërojnë se edhe nëse ndihma shtohet, trajtimi i kequshqyerjes kërkon kujdes të specializuar për të shmangur komplikime të rënda si sindroma e riushqyerjes.
“Për pacientët që kanë qenë të uritur për një kohë të gjatë, trajtimi nuk është i thjeshtë. Ne jemi të shqetësuar për ndërlikime serioze shëndetësore,” tha Dr. Thaer Ahmad, një mjek i përfshirë në misione humanitare në Gaza./E.T