Emigracioni i pensionistëve italianë gjatë viteve të fundit po bëhet gjithnjë e më i dukshëm si trend, me Shqipërinë që po shfaqet si një nga destinacionet e tyre kryesore. Kështu nënvizohet në raportin vjetor të INPS-së (Instituti Italian i Sigurimeve Shoqërore), ku Shqipëria renditet ndër zgjedhjet kryesore të emigrantëve italianë në moshë pensioni për shkak të politikave të favorshme tatimore.
Spanja dhe Portugalia kanë qenë më herët destinacionet kryesore për pensionistët italianë, por tanimë Shqipëria dhe Tunizia pozicionohen në vend të parë, pasi sipas INPS-it, të dyja vendet ofrojnë kushte më të mira për pensionistët, taksa më të ulëta, klimë më të butë dhe kosto më të ulët jetese.
Ndërsa Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë pensionistë italianë, kjo tendencë është rezultat edhe i një vendimi të qeverisë shqiptare të janarit 2020, kur u vendos që pensionistët e huaj me lejeqëndrim të posaçëm në Shqipëri të mos tatohen për pensionet që ata përfitojnë nga shteti italian.
Sipas raportit të INPS-it, një aspekt interesant është se gratë italiane po emigrojnë gjithnjë e më pak, ndërsa burrat tani përbëjnë shumicën e emigrantëve. Në vitin 2003, gratë përbënin 60% të emigrantëve italianë, ndërsa në vitin 2023, burrat përfaqësojnë 61% të numrit të emigrantëve.
Në vitet 2010-2023 u trefishua numri i pensionistëve italianë që emigruan jashtë vendit. Nga 10 emigrantë për çdo 100,000 pensionistë në vitin 2010, kjo shifër u rrit në 33 në vitin 2023, duke përfshirë kryesisht pensionistët nga veriu dhe qendra e Italisë, si dhe Sicilinë. Rajonet jugore, si Kalabria, Bazilikata apo Sardenja kanë pasur më pak largime për shkak të kushteve ekonomike dhe lidhjes së fortë me familjet dhe komunitetet lokale./e.t