Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për ndihmë humanitare në Rripin e Gazës, duke deklaruar se Izraeli duhet të lejojë hyrjen e “çdo grimce ushqimi” në këtë territor të rrethuar. Në një deklaratë që shënon një distancim të dukshëm nga qëndrimet e mëparshme, Trump pranoi se situata në Gaza është e rëndë dhe përshkroi fëmijët palestinezë si “shumë të uritur”.
Deklarata e tij u bë gjatë një vizite në Britani, ku për herë të parë ai kritikoi publikisht kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili më herët kishte mohuar raportimet për uri në Gaza duke i quajtur ato “gënjeshtra të turpshme”.
Nën një presion gjithnjë e më të madh ndërkombëtar për t’u angazhuar në zgjidhjen e krizës humanitare, Trump e cilësoi Izraelin si “përgjegjës në masë të madhe” për situatën aktuale në Gaza. Ai u shpreh i shqetësuar për raportet që tregojnë se dhjetëra palestinezë kanë humbur jetën nga uria në javët e fundit, ndërkohë që sipas Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të ndihmës, bllokada izraelite ndaj ndihmave humanitare është shkaku kryesor.
“Po shohim fëmijë të uritur, që nuk mund të jetë simulim. Është uri e vërtetë,” tha Trump. “Ne i japim ushqim Izraelit. Dua të sigurohem që ky ushqim arrin në Gaza.”
Ai konfirmoi se kishte kërkuar nga Netanyahu të ndryshojë qasjen e tij ndaj ndihmës humanitare, ndërsa shtoi se SHBA do të ndihmojë në ngritjen e qendrave shpërndarëse ushqimi “pa barriera”, pa dhënë detaje të mëtejshme për zbatimin e këtij plani.
Pavarësisht deklaratave politike, realiteti në Gaza mbetet dramatik. Të hënën, të paktën 25 palestinezë, përfshirë katër fëmijë, u vranë pasi ushtria izraelite hapi zjarr ndaj një turme që po priste ndihma pranë një karvani kamionësh në jug të Gazës. Ushtria izraelite nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar për incidentin, por autoritetet shëndetësore lokale kanë konfirmuar viktimat.
Sipas agjencive të ndihmës, përpjekjet për të ndalur krizën humanitare janë ende të pamjaftueshme. Martin Penner nga Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së deklaroi se të gjithë 55 kamionët me ndihma që hynë të hënën në Gaza u plaçkitën nga turmat përpara se të arrinin në depot e destinuara.
Një tjetër zyrtar i OKB-së theksoi se “nuk ka pasur asnjë përmirësim real në terren” dhe se nuk janë hapur rrugë të reja për transportimin e ndihmave.
Të dhënat më të fundit tregojnë se të hënën u vranë të paktën 78 palestinezë, përfshirë një grua shtatzënë dhe foshnjën e saj, e cila lindi pas vdekjes së nënës, por ndërroi jetë pak më vonë.
Në sfond, Britania po përgatit një plan paqeje në bashkëpunim me Francën dhe Gjermaninë, që pritet të diskutohet në një takim urgjent të kabinetit të kryeministrit Keir Starmer. Mbi 220 deputetë dhe disa ministra britanikë kanë kërkuar që Mbretëria e Bashkuar të njohë menjëherë shtetin e Palestinës, në përputhje me qëndrimin e paralajmëruar nga presidenti francez Emmanuel Macron.
Trump, nga ana e tij, e kundërshtoi këtë ide për Shtetet e Bashkuara, por tha se nuk do ta pengonte nëse Britania apo aleatë të tjerë vendosin të njohin shtetin palestinez.
Në të njëjtën konferencë për shtyp, mbajtur pas një takimi me Starmer në Turnberry të Skocisë, Trump foli edhe për luftën në Ukrainë. Ai shprehu zemërim ndaj presidentit rus Vladimir Putin për sulmet ndaj civilëve dhe paralajmëroi se do të vendosë sanksione të reja ekonomike ndaj partnerëve tregtarë të Rusisë brenda 10 deri në 12 ditë nëse agresioni nuk ndalet.
“Kur sheh trupa të pajetë nëpër rrugë dhe civilë të vrarë në azile pleqsh, nuk është kjo mënyra për të vepruar,” deklaroi presidenti amerikan./e.t