Nga Andi Sefa
Në një vend ku realiteti shpesh refuzohet si pasqyrë dhe për çdo dështim gjejmë një fajtor: motin, gjeografinë, historinë, armiqtë imagjinarë; është e kuptueshme pse shprehja popullore: “Ose deti është i shtrembër, ose ne s’vosisim drejt.”, me një dozë ironie therrëse, mbetet kaq aktuale.
Kemi ndërtuar një kulturë të të justifikuarit.
Në administratë, kur një projekt dështon, nuk pyetet se ku gabuam, por sa u penguam. Kur qytetet vuajnë nga plehrat, nga trafiku, nga kaosi urban, nga mungesa e shërbimeve bazë, thirrja është e njëjtë: “Janë të gjithë kundër nesh!”
Jo, ndoshta thjesht nuk po vosisim drejt!
Po të shikosh sektorin publik, shpesh nuk ka as plan, as vizion, as ndershmëri për të pranuar gabimet. Ka vetëm rotacion justifikimesh. Investime që nisin, por nuk mbarojnë kurrë. Reforma që emërtohen si historike, por nuk ndryshojnë jetën e askujt. Mungesë përgjegjësie e maskuar me fjalime patriotike. Disa madje përpiqen të na bindin që deti është me të vërtetë i shtrembër – se Shqipëria është një vend që nuk mund të qeveriset, nuk mund të pastrohet, nuk mund të funksionojë “si Zvicra” sepse ne jemi të mallkuar nga gjeopolitika ose “nga natyra”.
Në shoqëri, ndodh njësoj. Kur qytetarët i hedhin mbeturinat në rrugë, nuk mendojnë se janë pjesë e problemit, por fajësojnë bashkinë. Kur vetë vendosin të mos paguajnë dritat, ujin, taksat, apo t’i vjedhin, janë “të revoltuar” nga shteti që nuk u kthen shërbime.
Kur shohin që diçka nuk shkon, i bien qafës kujtdo tjetër, vetëm jo vetes.
Vozitja është kthyer në një akt anarkik: secili shkon nga i do mendja, pastaj çuditet pse përfundojmë në një rreth vicioz.
E vërteta është se deti është det!
I hapur, i drejtë, i thellë, i rrezikshëm, i njëjtë për të gjithë!
Janë vozitësit që duhet të shohin horizontin, të rregullojnë drejtimin, të mësojnë bashkëjetesën në një barkë që quhet shoqëri, shtet, qytetari.
Nuk na mbyt dallga, na mbyt mungesa e drejtimit.
Dhe kjo nuk është metaforë, është diagnozë.
Në vend që të ankohemi për mungesën e mundësive, pse të mos pyesim veten nëse kemi ndërtuar strukturat që i krijojnë ato mundësi?
Në vend që të kritikojmë çdo qeveri, a kemi ndërtuar një kulturë qytetare që kërkon meritokraci, transparencë e llogaridhënie?
Në vend që të thërrasim për largimin e trurit, a kemi pyetur veten pse të rinjtë nuk shohin një të ardhme këtu?
Ore, nuk është gjithmonë bota që është në gabim — ndonjëherë jemi ne ata që nuk e kuptojmë, nuk dimë, apo nuk duam ta drejtojmë rrugën tonë siç duhet.
Politika shqiptare sot nuk vuan vetëm nga korrupsioni, por nga legjitimiteti që i jep një shoqëri e lodhur, e zhgënjyer dhe shpesh e tërhequr nga përgjegjësia qytetare.
Një shoqëri që thërret për drejtësi, por hesht kur komshiu ngre shtëpi pa leje. Një shoqëri që proteston kundër padrejtësisë, (zakonisht nga divani i sallonit dhe përpara ekranit të kompjuterit), por nuk denoncon asnjëherë kur vetë përfiton nga ajo.
Ne nuk jemi vetëm viktima të sistemit; shpesh jemi edhe bashkëpunëtorë të tij të heshtur.
Në aspektin social, mungesa e solidaritetit dhe mosbesimi te institucionet kanë krijuar një klimë të ngurtë, gati cinike. Kultura e “indiferencës” është bërë alibia e një status quo-je ku askush nuk ndryshon gjë sepse të gjithë ndihen të pafuqishëm, ose më keq, të kënaqur me përfitimet e vogla të një padrejtësie të madhe.
Por e vërteta është kjo: as politika nuk do të pastrohet vetë, as shoqëria nuk do të shërohet vetë. Ne duhet të mësojmë të vozisim drejt, në ujërat shpesh të trazuara të demokracisë dhe qytetarisë aktive.
Sepse nëse vazhdojmë të fajësojmë detin, pa e parë timonin në duart tona, rrezikojmë të fundosim jo vetëm barkën tonë, por edhe të ardhmen e fëmijëve tanë.
Ky shkrim nuk është për të ulëritur e për të treguar me gisht. Është thirrje për reflektim. Është koha që të ndalojmë së vëni faj detit dhe të fillojmë të mësojmë si vozitet me përgjegjësi.
Sepse, në fund të fundit, deti nuk ka asnjë faj që s’na mbërrin dot barka askund.