Shqipëria po bëhet gati të paraqesë Pozicionin e saj Negociues për negociatat lidhur me kapitujt që përbëjnë Grup-kapitullin 5: “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”. Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj ndau sot në rrjetet sociale një video informuese për secilin kapitull të këtij grupi.
Denaj bëri të ditur se, “nga hapja e Grup-kapitullit 5 të negociatave me Bashkimin Europian dhe në tërësi në këtë proces integrues, Shqipëria përfiton mbështetje nga modernizimi i bujqësisë, mbështetja e fermerëve, tek përmirësimi i standardeve të prodhimit dhe kontrollit ushqimor, për të vijuar në forcimin e politikave të kohezionit”.
“Ky hap është dëshmi se rruga drejt BE-së, është jo vetëm vullnet politik, por edhe një garanci për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social për qytetarët shqiptarë, që në këtë rast i referohen sigurisë ushqimore dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e konsumatorëve”, u shpreh Denaj.
Rëndësia e Grupkapitullit 5 është thelbësor për ekonominë shqiptare, pasi përfshin fusha kyçe për zhvillimin ekonomik dhe social të qëndrueshëm, mbështetjen e fermerëve dhe peshkatarëve, dhe sigurinë ushqimore.
Ky grupkapitull përbëhet nga 5 kapituj: Kapitulli 11 (Bujqësia dhe Zhvillimi Rural); Kapitulli 12 (Siguria Ushqimore, Politika Veterinare dhe Fitosanitare); Kapitulli 13 (Peshkimi); Kapitulli 22 (Politika Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore) dhe Kapitulli 33 (Dispozitat financiare dhe buxhetore).
Negociatat e këtij grup-kapitulli do të nxisin reforma për modernizimin e bujqësisë, përmirësimin e standardeve të prodhimit ushqimor dhe forcimin e politikave të kohezionit.
Shqipëria synon të hapë të gjithë kapitujt e negociatave brenda vitit 2025 dhe të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, me synimin për t’u anëtarësuar në BE deri në vitin 2030. /e.t