Deputetja e PD, Jorida Tabaku thotë se prej 12 vitesh qytetarët shqiptarë dëgjojnë të njëjtat premtime për reforma që do të përmirësojnë jetën e tyre, luftë kundër korrupsionit dhe investime të huaja që do të shpëtonin ekonominë. Por realiteti, sipas saj është krejt ndryshe.
Me anë të një postimi në Facebook Tabaku vë në dukje se Indeksi i Biznesit nga Dhoma Amerikane e Tregtisë tregon se bizneset në Shqipëri përballen çdo vit me të njëjtat probleme informalitet, monopole, korrupsion dhe burokraci.
“Na u tha se lufta kundër informalitetit do të shpëtonte ekonominë, më pas se digjitalizimi do të na shpëtonte nga korrupsioni, ndërsa sot na thonë se turizmi do të shpëtojë të gjithëve,” tha ajo.
Tabaku thekson se besimi në ekonomi dhe institucione bie çdo vit, ndërsa bizneset përballen me barriera të vendosura jo nga tregu, por nga monopole të sponsorizuara nga pushteti dhe një sistem i ndërtuar për një rreth të ngushtë klientësh.
Jorida Tabaku thekson se “Shqipëria ka nevojë për një qeveri që punon realisht për qytetarët dhe jo që jeton me propagandë, duke kërkuar ndershmëri, konkurrencë të lirë dhe rregulla të njëjta për të gjithë”.
Postimi i Jorida Tabakut:
Prej 12 vitesh kemi dëgjuar të njëjtat premtime. Reforma për të përmirësuar jetën e qytetarëve.
Luftë kundër korrupsionit. Investime të huaja që do të shpëtonin ekonominë.
Por realiteti është tjetër. Indeksi i Biznesit nga Dhoma Amerikane e Tregtisë na tregon një tjetër histori. Vit pas viti, bizneset në Shqipëri përballen me të njëjtat plagë: informalitet, monopole, korrupsion dhe burokraci.
Na u tha se lufta kundër informalitetit do të shpëtonte ekonominë. Pastaj, se digjitalizimi do të na shpëtonte nga korrupsioni. Sot, na thonë se turizmi do të na shpëtojë të gjithëve.
Të gjithë e dimë realitetin:
Besimi në ekonomi bie çdo vit.
Besimi te institucionet bie çdo vit.
Biznesi lufton çdo ditë përballë një qeverie që punon për pakicën dhe sundon mbi shumicën.
Investimeve u janë vënë barriera. Jo nga tregu, por nga monopolet e sponsorizuara nga pushteti. Tregu është mbyllur jo nga rregullat, por nga qokat e qeverisë. Ligjet nuk shkruhen për të gjithë, por për një rreth të ngushtë klientësh.
Kemi një krizë të sajuar me duart e një qeverie që nuk ka punuar për qytetarët, por ka ndërtuar një sistem të padrejtë. Një sistem që takson më shumë se sa njerëzit fitojnë. Që ndëshkon punën dhe shpërblen lidhjet.
Shqiptarët kanë nevojë për një qeveri që nuk jeton me propagandë, por punon për ta. Biznesi ka nevojë për ndershmëri, konkurrencë të lirë dhe rregulla që vlejnë për të gjithë.
Kjo nuk mund të vijë nga një qeveri që sundon me slogane. Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë. Jo për një tjetër shfaqje./E.T