Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka shprehur shqetësimet e saj për situatën në bujqësinë shqiptare, duke e cilësuar rritjen e TVSH-së në 20% si një politikë të gabuar që ka sjellë informalitet dhe ka marginalizuar fermerët e vegjël. Ajo sugjeron që TVSH-ja të rikthehet në nivelet e mëparshme, 6% ose madje në 0%, për të ndihmuar ndjeshëm bujqësinë.
Në një video të postuar në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se mbështetja për bujqësinë duhet të kalojë përtej granteve dhe skemave të shkëputura, duke përqendruar përpjekjet në politika tatimore që nxisin prodhimin vendas dhe fuqizojnë prodhuesit e vegjël. Ajo theksoi rëndësinë e lidhjes së këtyre prodhuesve me të mëdhenjtë për të garantuar konkurrueshmëri dhe për të krijuar një model ekonomik që funksionon.
Tabaku u shpreh se pa një rregullim të politikave tatimore dhe fiskale, fshati do të vazhdojë të vdesë, siç ka ndodhur deri më tani. Ajo përmendi se toka është pasuria më e madhe që ka Shqipëria dhe se ajo nuk po shfrytëzohet siç duhet. Përfundimisht, ajo paralajmëroi se nëse nuk ndërhyhet në mënyrë sistematike për të përmirësuar kushtet e bujqësisë, e ardhmja e fshatrave shqiptare do të jetë e errët./e.t