Në Bazën Ajrore të Farkës vijon puna për Rivlerësimin Strategjik të Mbrojtjes (RSM) me fokus investimet në modernizim, vlefshmërinë ajrore sipas standardeve të NATO-s dhe arritjen e objektivave të vendosura në Samitin e Hagës.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri me dije se tre janë prioritetet e Shqipërisë.
Së pari, modernizimi i Forcave të Armatosura, pra flotës, pajisjeve, teknologjisë dhe armatimit që nga meteorologjia e deri tek sistemet mbrojtjes.
Së dyti, zhvillimi i infrastrukturës në bazat ajrore në Gjadër, Rinas, Farkë, Kuçovë dhe Vlorë. Kjo, siç bën me dije ministri, për të rritur sigurinë dhe efektivitetin e Forcës Ajrore në misione ushtarake dhe të mbrojtjes civile.
Së treti, zhvillimi dhe specializimi i burimeve njerëzore. Kjo synohet përmes rihapjes së Shkollës së Aviacionit në Vlorë dhe trajnimin e gjeneratës së re të pilotëve, teknikëve të bordit, kontrollorëve dhe ekspertëve të sistemeve pa pilot.
“Të gjitha këto mbështetur në, infrastrukturë të re, rritje të trajtimit financiar dhe promovim të karrierës ushtarake për të rinjtë shqiptarë”, njoftoi Vengu nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Ai theksoi se “vijon puna me të gjitha komandat, strukturat operacionale dhe partnerët ndërkombëtarë, për të ndërtuar një Forcë Ajrore moderne, efikase dhe të përgatitur për sfidat e së ardhmes”./kb