Nard Ndoka: Pendesa më e madhe në politikë? Bashkëpunimi me Bashën

Nard Ndoka, i ftuar në podcastin “Flet” nga Ilnisa Agolli, ndau me publikun detaje nga jeta e tij, fëmijëria, politika, përfshirë edhe bashkëpunimet që sot i quan të gabuara.

Ndoka theksoi se pendesa dhe zhgënjimi më i madh i tij ka qenë bashkëpunimi me ish-kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Cila është pendesa jote më e madhe?

– Mund të them që pendesa dhe zhgënjimi më i madh, ka qenë bashkëpunimi me Lulzim Bashën. Zgjohej shumë vonë, një gjumash funksional, por nuk ishte kjo e meta më e madhe e tij. Se gjumi ndonjëherë të ripërtërin, të jep energji, ndërsa tek ai bënte të kundërtën. Ishte një përgjumje e karakterit.

U duk sikur ishit në luftë me njëri-tjetrin se kush bën më shumë meme…

– Ai e diskreditoi memen (qesh). E bëri memen që të qeshte me vete prej Lulit.

Kush është memexhiu më i madh i politikës shqiptare?

– Ka nga ata që tentojnë në mënyrë teveqale. Shumë prej tyre. Tentoi Luli, që e bëri memen me turp. E ka stil Rama, ka një raport me memen. Ai edhe lojërat e fjalëve i bën pikërisht për këtë, është mjeshtër i kësaj, i këtyre fjalëve, dredhirave. I bie nga Kina, me pak fjalë./E.T