Përmes një postimi në rrjetet sociale, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar sërish për situatën e bujqësisë, duke kritikuar qeverinë për politikat e saj të padrejta dhe joefikase në këtë sektor.
Tabaku renditi si një nga problemet kryesore që po penalizon rëndë fermerin shqiptar është mënyra si aplikohet TVSH në bujqësi. Diferenca mes TVSH-së në hyrje dhe dalje – ku importuesit përfitojnë dhe fermerët penalizohen – është kthyer në një “super taksë” që e nxjerr prodhuesin vendas nga tregu.
“Importuesit e mëdhenj preferojnë të marrin produkte nga jashtë sesa të blejnë nga fermeri shqiptar, pikërisht për shkak të kësaj pabarazie fiskale,” theksoi ajo.
Në lidhje me këtë çështje, Tabaku kujtoi se opozita ka propozuar një zgjidhje konkrete: TVSH e unifikuar në nivelin 6% si në hyrje ashtu edhe në dalje, për të formalizuar sektorin dhe për ta bërë konkurrues.
Nga ana tjetër, ajo u ndal edhe tek retorika e re e qeverisë për të nxitur fermerët të marrin kredi. “Pse duhet të marrë kredi një fermer, kur fondet IPARD janë djegur dhe bujqësia ndodhet në krizë? Një në tre produkte vjen sot nga importi! Nëse nuk ka prodhim, çfarë vlerë ka një kredi?” – pyet Tabaku.
Ajo e përmbylli reagimin e saj duke nënvizuar se sektorit të bujqësisë i duhet mbështetje reale, politika të ndershme dhe një vizion i qartë, jo masa të përkohshme dhe propagandë. Sipas saj, bujqësia është kthyer në viktimë të një politike që favorizon importin dhe ndëshkon prodhimin vendas./E.T