Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, ka ndarë një video në rrjetet sociale ku paraqitet përdorimi i dronëve luftarakë FPV gjatë një stërvitjeje të zhvilluar në Knin.
Në pamjet e publikuara, shihet një dron që fluturon drejt një objektivi të caktuar dhe përplaset me të, duke shpërthyer në flakë. Kjo stërvitje ishte pjesë e një demonstrimi nga Komanda e Forcave Speciale, ku u simuluan operacione për shkatërrimin e një pozicioni të fortifikuar armik.
“Ushtria kroate dje për herë të parë demonstroi përdorimin e dronëve luftarakë FPV të prodhuar në Kroaci përmes një stërvitjeje të Komandës së Forcave Speciale,” deklaroi ministri Anushiq. “Ky është një hap i madh përpara në modernizimin e ushtrisë sonë dhe në fuqizimin e saj me teknologji të avancuar nga industria mbrojtëse kroate.”
Dronët FPV janë mjete ajrore pa pilot, të cilat kontrollohen në mënyrë të tillë që operatori sheh në kohë reale atë që kap kamera e vendosur në dron, duke e përjetuar fluturimin sikur të ishte vetë në bord./E.T