Kush po e sulmon prodhimin vendas?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Duket sikur jetojmë brenda një rrethi vicioz nga i cili nuk po gjejmë dot rrugë shpëtimi. Një mjegull mosbesimi, frike dhe përçmimi është ulur këmbëkryq mbi gjithçka që prodhohet në këtë vend. Dhe siç thotë fjala e urtë: “Atë që ta bën i yti, nuk ta bën as armiku”. Kjo duket më e vërtetë se kurrë kur bëhet fjalë për prodhimin vendas, që prej kohësh është kthyer në tabelë qitjeje për të gjithë: konsumatorë të frikësuar, portale pa përgjegjësi dhe mendje të ndotura që kanë mbetur rob të gjithçkaje që është import.

Po e nis nga vetja:
Hyra një ditë në supermarket për të bërë disa blerje të zakonshme. Si çdo herë, e nisa me një kos. Dehidratant, – buzëqesha me vete. Por s’ishte e thënë, se ende pa e vendosur mirë në shportë, një fqinje që nuk di nga më doli para sysh, nisi të më shikonte sikur po bëja ndonjë marrëzi. Me një ton pothuajse tragjik, më informoi se kosi kishte dalë me myk dhe se lajmi kishte bërë xhiron e portaleve. Ishte aq e sigurt në atë që thoshte, sa më bëri të ndalem, të dyshoj dhe në fund… ta lë kosin në raft, si i zënë në faj.

U përpoqa të vazhdoj me qumështin, por edhe aty më doli një tjetër “ekspert” i improvizuar – një mik i vjetër që më paralajmëroi se qumështi vendas është plot konservantë dhe se, sipas tij, asnjë vlerë nuk ka. Tha se vijnë nga Kina dhe mund të më helmojnë. S’e di ku i lexonte këto, por më shikonte sikur të më shpëtonte jetën. Pastaj u kujtova: po unë nga këto produkte, kos e qumësht, marr përditë – s’kam përfunduar ndonjëherë në spital. Po të ishin kaq problematike, as spitali s’do më bënte dot derman, e do më merrte në dorëzim prifti i Shën Triadhës.

Megjithatë, i traumatizuar nga çfarë dëgjoja, e lashë dhe qumështin, ndërsa miku im vazhdoi i përkulur mbi datat e skadencës, sikur kërkonte ndonjë kod sekreti që do t’i zbulonte fundin e botës.

Ka një tendencë që përsëritet në çdo sezon, në çdo valë debati apo njoftimi mediatik: produktet shqiptare hidhen poshtë, përfliten, vihen në dyshim. Mjafton një titull i zhurmshëm, një kronikë e pjesshme, dhe menjëherë ushqehet mosbesimi ndaj punës së fermerit, prodhuesit, artizanit shqiptar. E për çudi, konsumatori vendas rrallë reagon për t’i dalë në mbrojtje produktit të vet. Përkundrazi: i bëjmë qejfin mallit të huaj, sikur ai e ka vulën e së mirës absolute, dhe lëshojmë nga duart atë që është rritur në këtë tokë, përpunuar nga duart tona dhe që mund të jetë një nga pasuritë tona më të mëdha – nëse do ta vlerësonim.

Vazhdova xhiron në supermarket.
Me djathin mendova se do shpëtoja. I paketuar për bukuri, sa s’kish nga futej myku. Por nuk pata shumë fat, sepse fqinje ime më doli sërish përpara, pasi kishte bërë xhiron e parë nëpër market. Kur i thashë se isha duke marrë djathë shqiptar, ajo shpërtheu. Djathi, sipas saj, ishte me niseshte, pa vlerë dhe i pavlefshëm. Për këtë kishte prova, natyrisht – lajmet dhe portalet. U përpoqa t’i kujtoja se ekzistojnë laboratorë që certifikojnë produktet, por edhe këtë ide e hodha poshtë pa e nxjerrë nga goja. E dija përgjigjen që do merrja: “Laboratorët e leshit.” Ishte më e sigurt se çdo fakt shkencor.

Lexo edhe :  Cipa dhe liria

Në raft, syri më zuri edhe produktin e dhallës, por as që guxova ta prekja me dorë. E dija që menjëherë do të më vinte ndonjë zë për të më thënë me alarm: “Mos e prek, rrezik vdekje!” Por fyti më ishte tharë, aman, dhe e donte një gërgje, o dhallë, o qumësht, o kos…

Qenka bela e madhe, mendova, sidomos kur paske etiketën “Made in Albania”. Mëkat. Një prodhim i huaj ka më shumë shanse, edhe pse ka çmim më të shtrenjtë.
Kemi krijuar një kulturë antireklame për veten. Ngrihemi me zell kundër çdo prodhimi që mban etiketën “Made in Albania”, shpesh pa verifikuar, pa ditur, pa kuptuar. Sikur të mos mjaftonte që jemi një treg i vogël, i kthehemi vetes si armik: diskreditojmë cilësinë, flasim me mosbesim dhe e shesim ndryshe nga sa e kemi përjetuar.

Në atë çast, fillova të mendoj: mos vallë kemi të bëjmë me ndonjë fushatë të qëllimshme kundër prodhimit vendas? Apo ndoshta janë ato gjobat famëkeqe që qarkullojnë lehtas nëpër portalet anonime? Ndoshta ndonjë punë armiqësore për të goditur ekonominë vendase e për të favorizuar importet? Por s’isha shumë i fortë në kriminalistikë, ndaj e lashë me aq edhe këtë mendim.

U drejtova nga sektori i mishit, por as aty s’gjeta qetësi. Një kliente tjetër, me një ton komplotist, më këshilloi të mos merrja sallam, sepse “nuk i dihet ç’ka brenda”. Thua të isha duke zgjedhur ndonjë substancë radioaktive? Sidoqoftë, fillova të ndjeja një panik të lehtë. Isha si i rrethuar. Çdo produkt shqiptar vinte me paralajmërime, ndalesa, kërcënime dhe “fakte” të pakontestueshme… nga portale, komshinj, miq e të panjohur që duket sikur kishin një mision të përbashkët: të më bindnin që prodhimi vendas ishte helm.
Dhe prodhimi vendas mënjanohet.

E kush mban përgjegjësi për këtë dëm? Media që ndjek klikimet? Zërat e rrjeteve sociale që përflasin pa fakte? Apo mungesa e një vizioni për mbrojtjen e prodhimit kombëtar? Apo të presim të vijë Kodi Penal – me ndryshimet më të reja – që të na ndëshkojë për përhapjen e panikut dhe shpifjen ndaj bizneseve vendase?
Xhiron nëpër supermarket po e mbyllja më në fund.

Mendova se të paktën uji do të ishte i sigurt. Kështu që mora dy bidona dhe u nisa drejt kasës. Por edhe aty nuk më la fati të mbaroja dot blerjen. Një burrë i moshuar, me një karrocë të mbushur, më informoi se, sipas një lajmi të fundit, uji vendas ose ishte “gëlqeror”, ose e kishin zhveshur fare nga kripërat dhe nuk vlente për asgjë.
Në atë çast, më ra bidoni nga dora. Dhe… përfundoi sërish në raft.
Dola nga supermarketi pa blerë asgjë. As kos, as qumësht, as djathë, as sallam, as ujë. Asgjë.Vetëm një bindje më mbeti në mendje:
Në këtë vend, mallkimi më i madh i një produkti është që të jetë… prodhim vendas.
Nëse nuk fillojmë të ndërtojmë vetëbesim dhe respekt ndaj punës shqiptare, do të vazhdojmë të jemi konsumatorë të huaj në vendin tonë, duke lënë në harresë atë që është vërtet pasuri: produkti shqiptar.

Të fundit

Flogert Muça: Lapaj po kërkon mëshirë nga Rama

Adriatik Lapaj ka ditur gjithmonë të shfaqet si njeriu i betejave morale, si tribuni i ri që do t’i...

Ancelotti përplaset me Barcelonën për listën e Brazilit

Brazili ka publikuar listën me futbollistët e grumbulluar për dy sfidat e radhës eliminatore për Kupën e Botës 2026, por "Selecao" e ka siguruar...

BE dënon sulmin izraelit në spitalin në Gaza: Nuk justifikohet

Bashkimi Europian ka reaguar pas vdekjes së 5 gazetarëve ditën e djeshme në Gaza pas një sulmi me raketa të lëshuara nga Izraeli në...

Pse Donald Trump dëshiron të kontrollojë Rezervën Federale?

Nuk duhej tentativa e djeshme për të shkarkuar Lisa Cook nga Bordi i Guvernatorëve të Rezervës Federale, që të kuptohej se çfarë modeli qeverisjeje...

Osmani përshëndet kreun e ri të Kuvendit: Qeveria të votohet sa më shpejt

Presidentja e Republikës së Kosovë, Vjosa Osmani ka përshëndetur zgjedhjen e kreut të Kuvendit dhe nënkryetarëve të rinj, që i jep fund krizës disamujore Osmani...

Lajme të tjera

Web TV