Qarku i Fierit, ndër të vetmit me rritje të numrit të krerëve të lopëve

Prodhimi vendas në Shqipëri kohët e fundit është bërë objekt i sulmeve të shumta në media, shpeshherë pa argumente të qëndrueshme dhe larg realitetit të tregut. Këto kritika të njëanshme lënë në hije përpjekjet e jashtëzakonshme të prodhuesve shqiptarë, të cilët kanë investuar në pajisje moderne, teknologji të avancuar dhe standarde të larta sigurie ushqimore për të ofruar produkte cilësore.

Statistikat dhe inspektimet zyrtare tregojnë qartë se një pjesë e konsiderueshme e fabrikave dhe firmave vendase po punojnë me transparencë dhe profesionalizëm, duke përmbushur kriteret që kërkohen në këtë fushë.

Është e pafalshme që, në vend që të mbështesin dhe promovojnë ekonominë vendase, disa media zgjedhin të godasin prodhuesit vendas, duke kontribuar në krijimin e një klime mosbesimi të panevojshme. Në një kohë kur Shqipëria ka nevojë për forcim të identitetit ekonomik dhe promovim të vlerave të saj prodhuese, këto sulme nuk i shërbejnë as konsumatorit, as tregut dhe aq më pak interesave kombëtare. Mungesa e një qasjeje objektive nga ana e mediave është një dëm i drejtpërdrejtë për vendin dhe për ata që punojnë ndershmërisht për të sjellë produktet më të mira në tryezat shqiptare.

Qarku i Fierit është kampioni absolut i fshatit shqiptar dhe modeli që përfaqëson qartë standardin e punës në blegtori e më gjerë. Mjafton ky qark për të kuptuar se ky sektor i ekonomisë shqiptare po merr një hov të madh dhe është një nga vlerat e padiskutueshme të popullsisë që jeton në këtë rajon.

Në qarkun Fier, sektori blegtoral është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë lokale. Aktualisht, rreth 70 mijë persona janë të punësuar në këtë sektor, duke kontribuar ndjeshëm në prodhimin vendas. Blegtoria në këtë zonë përfshin rritjen e gjedhëve, deleve, dhive dhe shpendëve, si dhe përpunimin e produkteve të tyre. Investimet në teknologji dhe infrastrukturë kanë ndihmuar në rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e cilësisë. Kjo ka bërë që Fieri të konsiderohet një model zhvillimi për blegtorinë shqiptare.

Lexo edhe :  Aksidentohet vetura e eskortës së Dimal Bashës

Shifrat janë pasqyra më e mirë për të kuptuar realitetin. Në vitin 2024, numri i krerëve të lopëve në rang kombëtar ishte 224 mijë. Nga këto, Fieri renditet i pari me 35 mijë krerë lopë, rreth 15,6% e vendit. Qarku Fier aktualisht ka 3 fabrika të nivelit të lartë, 29 njësi përpunimi dhe 36 mijë ferma blegtorale.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2023 Fieri prodhoi 154 894 tonë qumësht lope, që përbën rreth 20% të totalit kombëtar, duke e bërë qarkun udhëheqës për këtë kategori. Tri fabrikat moderne të përpunimit të qumështit në këtë qark raportohet se disponojnë rreth 2000 krerë lopë. Këto fabrika përdorin pajisje dhe procese të avancuara si sisteme automatike për pasterizim dhe sterilizim, linja të automatizuara të paketimit, kontroll cilësie me sensorë dhe laboratorë të integruar, pajisje për fermentim, homogjenizim, tharje etj.

Në një kohë kur prodhimi vendas përballet me sfida të shumta, është e rëndësishme që mediat të luajnë një rol ndihmues dhe jo shkatërrues. Blegtoria dhe përpunimi ushqimor janë sektorë jetikë për ekonominë kombëtare dhe mbështetja e tyre duhet të jetë një prioritet publik. Mediat kanë fuqinë të ndikojnë pozitivisht, duke promovuar historitë e suksesit dhe përpjekjet e ndershme të fermave dhe fabrikave shqiptare. Kritikë po, por e drejtë dhe e argumentuar. Është koha të ndërtojmë dhe jo të shkatërrojmë atë që prodhohet me mund, përkushtim dhe dashuri për vendin. m.p.