Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohjen e saj ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për letrën që ai i ka dërguar së fundmi, ku shprehet përkrahja e vazhdueshme amerikane për Kosovën.
Përmes një postimi në faqen e saj zyrtare në Facebook, Osmani ka ndarë letrën publike dhe ka theksuar se Kosova do të mbetet e palëkundur në aleancën e saj me Shtetet e Bashkuara.
“Jam mirënjohëse Presidentit Trump për mbështetjen e tij dhe për mesazhin e fuqishëm që nënvizon partneritetin tonë. Kosova do të qëndrojë përherë përkrah Shteteve të Bashkuara, si në sfida ashtu edhe në arritje. Do të vazhdojmë të punojmë bashkë për të forcuar edhe më shumë këtë lidhje në të ardhmen”, ka deklaruar Osmani.
Në letrën e Trump, ndër të tjera, theksohet se raportet mes Kosovës dhe SHBA-së janë të bazuara në vlera të përbashkëta demokratike, respekt të ndërsjellë dhe synimin për një të ardhme të qetë dhe të zhvilluar.

“Ju falënderoj për udhëheqjen tuaj të vendosur dhe për miqësinë e sinqertë ndaj Shteteve të Bashkuara. Me padurim pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë në vitet në vijim”, shkruan Trump në mesazhin e tij.
Kujtojmë se disa javë më parë, Presidentja Osmani realizoi një vizitë zyrtare në SHBA, ku zhvilloi takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë amerikanë./e.t