Dario Llukaçi, “shershe la fam’ që fitoi zemrat e publikut

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Ka aktorë që bëhen legjenda me role kryesore dhe ka të tjerë, si Dario Llukaçi, që hyjnë në panteonin e artit duke i dhënë shpirt figurave dytësore. Me një frazë të vetme, ai mbetet i pashlyeshëm në kujtesën kolektive. “Shershe la fam”, apo siç njihet në orgjinal “Cherchez la femme”, fraza e Dario Llukaçit si shoferi i taksisë në filmin epope “Kapedani”, ishte e mjaftueshme për ta gdhendur emrin e tij në historinë e kinematografisë shqiptare. Ai shkriu humorin, karizmën dhe një theks unik, duke sjellë në jetë personazhe të thella, qofshin ato edhe për pak minuta në ekran…

…Në filmin “Kapedani”, Dario Llukaçi, shfaqet në pak minuta, por lë gjurmë të përjetshme.

— “Shershe la fam”

— Urdhëro?

— “Shershe la fam”, që do të thotë se sebepi i sherrit është fëmra.

— Tamam ashtu është, pikës i ke rënë!

— Napolon Bonoparti, sa herë që grindeshin dy veta, thoshte: “Shershe la fam”. Që do të thotë se sebepi i sherrit është fëmra.

— Bravo o qoftë, kot nuk i kanë thënë njeri i madh!

— I kishte shumë zët femrat që mbaheshin veten për të ditura. Edhe unë i kam zët gratë. Kemi një shefe ne që na e mori shpirtin.

— I ziu ti. Eh, edhe ne kemi një kryetare… Prandaj kam ardhur të ankohem në Komitetin e Partisë te shoku Rropi.

Por taksisti, si të gjithë meshkujt, urrente shefen – që me siguri me mustaqe dhe sjellje aspak feminile – ua nxinte jetën shoferëve. Por një zockë, që mund të bëhej shefja e tij në perspektivë, e kishte “hallall”…

Fillimet

Dario Llukaçi lindi më 1 gusht 1925 në Rijeka të Kroacisë së sotme. Në vitin 1930, familja e tij u zhvendos në Shqipëri, duke nisur aty kapitullin e një jete të re. Fillimisht punoi si mekanik dhe saldator, por pasioni për skenën ishte më i fortë se çdo profesion teknik.

Hapat e parë në art i hodhi në Teatrin e Estradës së Tiranës, ku u bë pjesë e brezit themelues të kësaj trupe. Talenti i tij për humorin, loja natyrale dhe përqafimi i karaktereve të zakonshme, por thellësisht njerëzore, e bënë shpejt të njohur.

Aktori me zë, theks e shpirt të veçantë

Ajo që e veçonte Llukaçin nuk ishte vetëm ekspresiviteti i tij i ngrohtë apo batutat e qeshura, por aftësia për të imituar zëra dhe thekse të huaja, një tipar pothuajse i rrallë për aktorët e kohës. Kjo e bënte të përshtatshëm për personazhe që sillnin një ngjyrë të re në ekran – figura dytësore që, në duart e tij, merrnin jetë të plotë.

Lexo edhe :  Emiliano Zapata, figura emblematike e revolucionit meksikan

Po aq mbreselenëse është dhe dialogu i tij tek filmi “Shtigjet e luftes”

-Telefonojini zotit Jani Ferra.

-E çfare t’i them?

-Të vije sa me shpejt këtu

-Pronto, 375-sa. Zoti Jani, jam Paçeli. Ejani sa me shpejt. Ju pret koloneli

-Grazie signor Paçeli

-Prego, prego ma cosa fate adesso. Ma io sono persona perbene

Galeria e roleve

Nëse do të donim të rendisnim disa nga rolet që e përjetësuan Dario Llukaçin në kujtesën tonë kolektive, do të përmendnim:

-Shoferi i taksisë në “Kapedani” (1972),

-Oficeri italian në “Debatik” (1961),

-Paçeli, në “Shtigje të luftës” – (1974)

-Doktori në “Kur hiqen maskat” (1975),

-Dirigjenti në “Tela mbi violinë” (1987).

-Rolet e tij në filma si “Vajzat me kordele të kuqe”, “Përtej mureve të gurta”, “Koha nuk pret”, “Odiseja e tifozëve”, “Estrada në ekran”.

E meqë jemi te “Estrada në ekran” nuk mund të rimë pa përmendur edhe dialogun e tij me Skënder Sallakun që në rol ishte shoku Stefan:

– Doni ta fusni në furrë? Hape. Kujdes, mos takoni te rezistenca se kap korrenti.

– Nuk të zë.

-Të zë që ç’ke me të.

– Nuk të zë.

– Të zuri shumë shoku Stefan.

– Më bitisi nuk thua.

– Epo këtu në terren korrentet janë të forta.

Edhe pse kurrë nuk mori rolin kryesor në ndonjë film, figura e tij mbeti simbolike. Ai ishte aktori që nuk kishte nevojë për shumë skena që të kujtohej.

Kujtesa artistike

Dario Llukaçi ishte një aktor karakteri — nga ata që e mbajnë në këmbë një shfaqje apo film pa pasur nevojë të jenë në qendër. Ai përfaqëson një brez artistësh të përkushtuar, të përulur dhe të palodhur, që kontribuuan në ndërtimin e identitetit të kinematografisë shqiptare pa zhurmë dhe pa kërkuar lavdi.

Aktorët si ai na kujtojnë se arti i vërtetë ndodh në detaj, në një gjest, në një fjalë, në një pamje që zgjat pak, por që mbetet përgjithmonë.

Epilogu

“Shershe la fam” nuk ishte thjesht një batutë e rastësishme. Ishte mënyra e Dario Llukaçit për të hyrë në panteonin e aktorëve të dashur shqiptarë. Një fjalë e vetme, një rol i vogël, por një shpirt i madh që i dha jetë ekranit.

Dario Llukaçi është dëshmia që ndonjëherë, madhështia ndodh në hije, atje ku pak sy shikojnë, por shumë zemra ndjejnë.

Të fundit

Izraeli nuk tërhiqet, tanket po përparojnë në Gaza

Forcat izraelite po vazhdojnë ofensivën e tyre në Rripin e Gazës, me tanke që përparojnë drejt korridorit të Moragut,...

Flakët përhapen me shpejtësi në Gramsh, pritet ndërhyrje nga ajri

Gjatë orëve të mbrëmjes të kësaj të diele një vatër zjarri është shfaqur në afërsi të fshatit Sojnik, në Gramsh. Burime për mediat bëjnë me...

Fotot me autorin e vrasjes në Gjilan, reagon për herë të parë Osmani

Presidentja e Kosovës ka shprehur keqardhje për humbjen e tre jetëve në Gjilan dhe përcolli ngushëllime për familjet e viktimave. Ajo u bëri thirrje organeve...

“Joan Gamper”, Barcelona i jep leksione Como-s

Barcelona ka fituar 5-0 ndaj Como në stadiumin “Johan Cruyff”, miqësore e vlefshme për trofeun e përvitshëm “Joan Gamper”. Ishte Fermin Lopez që zhbllokoi...

Arbana Osmani marton vëllain! Fjalimi që na shkriu zemrat

Me emocione, shumë lot gëzimi e një ceremonie të kuruar deri në detajin më të vogël, vëllai i moderatores ikonë të ekraneve shqiptare, Arbana...

Lajme të tjera

Web TV