Nuk ka dyshim që Max Verstappen bën pjesë në debatin për pilotët më të mirë të shekullit. Holandezi ka sunduar Formulën 1 gjatë katër viteve të fundit, duke imituar Sebastian Vetelin me katër tituj radhazi me Red Bull në fillim të viteve 2010.
Që nga debutimi i tij në “klasën mbretërore” në vitin 2015, si piloti më i ri në histori që ka hipur në një makinë të F1, Verstappen ka vazhduar të impresionojë me ngritjen e tij të rrufeshme. Një nga ata që vlerëson arritjet e pilotit holandez është Gino Rosato, një figurë drejtuese me përvojë të gjatë te Ferrari për më shumë se dy dekada, dhe pjesë e botës së F1 për mbi 30 vjet. Ish-piloti kanadez nuk i kurseu elozhet për më të voglin e familjes Verstappen, duke theksuar edhe rolin e Jos Verstappenit në “krijimin e një prej bishave më të mëdha të sportit”. Që kur i biri i tij iu bashkua familjes së Red Bullit, Jos është kritikuar për metodat e tij si prind. Por, në një paraqitje të fundit në podkastin “Pitstop”, Rosato tha se marrëdhënia e tyre tregon qartë se ai është një “burrë i fortë, pa dorashka”.
“Jos, është një tip i vërtetë, i sinqertë. Ai i përket shkollës së vjetër, dhe çfarë mund t’i thuash? Që ka bërë diçka gabim?”, deklaron Rosato, duke iu referuar mënyrës së rritjes së djalit nga Jos Verstappen. Rosato thotë se Max Verstappen është tashmë në majat më të larta të Formulës 1 edhe pse ky shekull ka sjellë emra si Lewis Hamilton, Sebastian Vetel, Fernando Alonso, etj.
Por sipas tij askush nuk e kalon Max: “Që nga tërheqja e Michael Schumacher, Vertappen është, pa dyshim, piloti më i mirë që ka ardhur në F1,” thekson kanadezi. Në aspektin personal, ish-anëtari i Ferrarit ka fjalë të mira edhe për anën karakteriale të kampionit në fuqi të botës: “Pavarësisht se është katër herë kampion bote, Vershtapen është një ‘zotëri i vërtetë’.
Ashtu si babai i tij, nuk është i interesuar për ‘politikën’ në F1. Ai mendon vetëm për të drejtuar makinën, dhe në këtë aspekt, është shumë i ngjashëm me Kimi Raikonenin. Kam 30 vjet në këtë sport dhe kam parë shumë pilotë që kanë humbur rrugën, por nuk është rasti i Vershtapenit. Kur nuk po garon, ai i përkushtohet familjes dhe gjërave të thjeshta, pa u zhytur në aktivitete boshe,” përfundon Gino Rosato./ D.C