Komentet e qytetarëve në mediat e tij sociale nxitën kreun e qeverisë që të linte mënjanë pushimet dhe të sqaronte se çfarë po ndodh me aksionin e lirimit të hapësirave publike.
Teksa pranoi edhe përgjegjësinë e zyrtarëve shtetërorë në lejimin e ngritjes së godinave pa leje, Rama bëri me dije se puna e nisur këtë verë për lirimin e hapësirave publike nuk është një aksion, por një reformë e thellë që pritet të zgjatë gjatë gjithë mandatit të katërt.
“Rilindja urbane 2.0 është program që do të vazhdojë 4 vjet dhe ky proces do të jetë konstant. Nuk është aksion apo sulm veror. Dhe ata që thonë se pse nuk e lije dot për në dimër, jo nuk e linim dot në dimër”, tha Rama.
Çdo ndërtim i ri, pohoi numri një i qeverisë, do të bëhet në bazë të një rregulloreje të qartë dhe paralajmëroi se çdo metër pa leje do të shkojë në favor të shtetit.
“Një metër katror të paligjshëm duhet ta dijë se nuk do ta gëzojë dot. Ose do ta marrë shteti, ose do të bjerë në tokë godina”, shtoi ai.
Reformim premtoi edhe për strukturat e inspektorateve ndërtimore në bashki, ku pohoi se çdo drejtor aktual nuk do të jetë më në detyrë.
“IMT e bashkive do të reformohen, do të ndryshojë struktura. Dhe kush ka drejtuar IMT nuk do të jetë më drejtor IMT dhe kjo po ndodh. Nuk janë për t’u futur të gjithë në një thes, por gjëja që është më e rëndësishme është që burgu është një adresë ku përcillet robi me prova e fakte, nga drejtësia dhe jo nga FB e qeveria”, tha kreu i qeverisë. m.p.