Në Greqi kanë hyrë në fuqi dënime të reja për qytetarët që përdorin shërbime IPTV të piratuara, dhe shumat janë shumë më të larta se më parë.
Sipas rregulloreve të reja, përdoruesit fundorë që shikojnë përmbajtje televizive të paligjshme, përballen me gjoba prej 750 eurosh për përdorim personal, ndërsa për përdorim komercial shuma arrin në 5,000 euro.
Për shkelësit e përsëritur, gjobat dyfishohen – 1,500 euro për përdorim personal dhe 10,000 euro për përdorim komercial.
Këto masa janë pjesë e Vendimit të Përbashkët Ministror Nr. 358834/2025, i cili gjithashtu specifikon se cilat institucione kryejnë kontrolle – Administrata Tatimore, Policia Financiare, Njësia e Mbikëqyrjes së Tregut, policia dhe shërbimet doganore.
Ligji parashikon gjithashtu dënime penale, por autorët mund të shmangin ndjekjen penale nëse paguajnë dyfishin e shumës së gjobës së vendosur brenda dhjetë ditësh.
Autoritetet thonë se masat e reja synojnë të luftojnë piraterinë digjitale, e cila vlerësohet se i kushton ekonomisë greke më shumë se 400 milionë euro çdo vit, duke çuar në humbje vendesh pune dhe ulje të të ardhurave tatimore./e.t