12 gusht 1955 – Vdekja e shkrimtarit
Nga Leonard Veizi
Në horizontin e letërsisë gjermane të shekullit XX, Tomas Man shfaqet si një monument i ndërtuar mbi gurët e mendimit filozofik dhe të hollësisë psikologjike. Në prozën e tij, bota nuk rrëfehet thjesht, ajo analizohet, shpërbëhet dhe rindërtohet nën dritën e ironisë së hollë dhe të një estetike që kërkon përkryerjen. Nga rrugicat tregtare të Lybekut, ku u formua fryma borgjeze e familjes Buddenbrook, deri te majat e “Malit magjik” ku koha ngurtësohet si akull, Man përzien realizmin me simbolizmin, duke veshur dramat e individit me petkun e dilemave të epokës. Ai e sheh artin si mision moral, por edhe si lojë të rrezikshme me forcat e errëta që fshihen pas shpirtit njerëzor…
…Tomas Man, i lindur në Lybek të Gjermanisë më 6 qershor 1875, ishte një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë gjermane dhe botërore të shekullit të 20-të. I njohur si një kronist i thellë i shpirtit njerëzor dhe i kulturës europiane, ai ndërthurte me mjeshtëri realitetin e përditshëm me reflektimet e thella filozofike, duke i dhënë lexuesve një pasqyrë të detajuar mbi dekadencën, moralin dhe fatin njerëzor.
Veprat kryesore
Man bëri emër me veprën e tij të parë të madhe, “Buddenbrooks”, botuar në vitin 1901. Ky roman epik, i cili i dha atij Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1929, paraqet rënien e një familjeje tregtare në Lübeck. Përmes kësaj historie familjare, Mann analizonte me detaje ndryshimet shoqërore dhe transformimin e vlerave, duke theksuar konfliktin mes artit dhe jetës së përditshme.
Një tjetër vepër monumentale e tij është “Der Zauberberg”, i cili në shqip vjen si “Mali Magjik”, botuar në vitin 1924. Ky roman, i vendosur në një sanatorium në Alpet zviceriane, eksploron idetë e kohës, sëmundjes dhe vdekjes, duke shërbyer si një analizë e thellë e gjendjes shpirtërore të Europës para Luftës së Parë Botërore. Personazhi kryesor, Hans Castorp, përfaqëson njeriun e zakonshëm që përballet me çështjet ekzistenciale.
Në shqip ky roman voluminoz prej 1228 faqesh ka ardhur ne nje përmbledhje në dy volume nga Botimet 55 nën përkthimin e Afrim Koçit
“Der Tod in Venedig” apo “Vdekja në Venecia”, një novelë e botuar në vitin 1912, shfaq talentin e Mann-it për të eksploruar pasionet e fshehura dhe konfliktin mes rendit dhe kaosit. Historia e shkrimtarit Gustav von Aschenbach, i cili humbet kontrollin mbi veten pas një pasioni të ndaluar, është një studim i thellë mbi dekadencën dhe rënien.
Gjithashtu novela “Vdekja në Venecia, është shqipëruar nga Gëzim Halilaj dhe është mundësuar për publikun shqiptar nga “Botime Nazarko”.
Epoka e tij
Përveç rolit si romancier, Mann ishte edhe një intelektual publik me ndikim. Në vitet e errëta të nazizmit, ai e kundërshtoi hapur regjimin e Adolf Hitlerit, duke përdorur zërin e tij për të paralajmëruar botën mbi rreziqet e tiranisë. Për shkak të qëndrimit të tij, ai u detyrua të emigronte, duke jetuar për vite të tëra në Zvicër dhe më pas në Shtetet e Bashkuara. Ky mërgim i dha veprave të tij një ton të thellë të vetmisë dhe ndjenjës së të qenit një dëshmitar i botës në krizë.
Trashëgimia letrare e Thomas Man-it qëndron në aftësinë e tij për të na bërë të reflektojmë mbi pyetjet më të mëdha të jetës. Ai ishte një anatomist i shpirtit njerëzor, një autor që besonte se arti i vërtetë shoqëron njeriun në rrugëtimin e tij të padukshëm mes kohës dhe vetes. Veprat e tij mbeten një pasqyrë e thellë e fatit njerëzor, duke na kujtuar se letërsia nuk është vetëm tregim, por një ndërgjegje që nuk hesht asnjëherë.
Epilogu
Esetë e tij të fundit të mëdha – mbi Gëte-n në vitin 1949, Çehov-in në vitin 1954 dhe Shiler-in në vitin 1955, Ato janë evokime mbresëlënëse të përgjegjësive morale dhe shoqërore të shkrimtarëve.
Tomas Man u nda nga jeta më 12 gusht të vitit 1955