Policia e Elbasanit ka njoftuar zyrtarisht se zjarri i përmasave të mëdha në fshatrat e Gramshit është shkaktuar nga një 80-vjeçar, i cili fatkeqësisht humbi jetën edhe vetë si pasojë e asfiksisë.
I moshuari, sipas policisë, ndezi zjarr në kopshtin e banesës, e për pasojë flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën në të gjitha fshatrat e Gramshit.
Për shkak të situatës që ka dalë nga kontrolli, Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin e banorëve të 3 fshatrave.
“Rreth orës 11:00, dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën. Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët. Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po heton për të zbardhur dhe dokumentuar shkakun e zjarrit dhe rrethanat e tjera të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Elbasanit./E.T