Nga Leonard Veizi
Në historinë e letërsisë moderne, pak figura shfaqen me një kontrast kaq të fortë mes heshtjes së dhunshme dhe fjalës së lirë si Jozef Brodski. Poet rus, hebre, emigrant dhe përfundimisht shtetas amerikan, ai mbetet një nga zërat më të veçantë të shekullit XX – i përndjekur në atdheun e tij për shkak të poezisë dhe i përqafuar në Perëndim si simbol i lirisë së mendimit.
Lindi më 24 maj 1940 në Leningrad, në një familje modeste hebreje. Qyteti i mbijetuar nga rrethimi nazist do të linte në shpirtin e tij ndjesinë e brishtësisë njerëzore dhe një vetëdije të përhershme mbi jetën në buzë të absurdit. Braktisi shkollën në moshën 15-vjeçare dhe punoi në morg, në fabrika, në ekspedita gjeologjike – ndërsa lexonte në mënyrë të babëzitur Fjodor Dostojevskin, Xhon Donin, Çesllav Milloshin dhe filozofët perëndimorë. Ishte një autodidakt i pasionuar, një shpirt që nuk i përshtatej asnjë kalibri shtetëror.
Kur nisi të shkruante poezi, nuk i kërkoi leje askujt. Dhe për këtë arsye, e dënuan.
Në vitin 1964, autoritetet sovjetike e arrestuan dhe e shpallën “parazit social”, meqë nuk kishte një punë të njohur nga shteti. Procesi i tij gjyqësor – absurd dhe grotesk – u kthye në një simbol të rezistencës shpirtërore. “Kush ju ka dhënë të drejtën të jeni poet?”, e pyeti gjykatësi. “Askush. Po ju, kush ju ka dhënë të drejtën të jeni gjykatës?”, qe përgjigjja e tij e paharruar.
U dënua me pesë vjet internim në veri të Arktikut, në fshatin Norenskaja, ku priste dru dhe ruante bagëti. Jetonte mes akullit, me libra që ia dërgonin fshehur miqtë, dhe me poezi që i shkruante në mendje për të mos i humbur. Falë ndërhyrjes së intelektualëve perëndimorë, mes tyre Zhan-Pol Sartri dhe U. H. Odeni, dënimi iu reduktua dhe u lirua pas 18 muajsh.
Por liria nuk zgjati shumë. Në vitin 1972, regjimi sovjetik e dëboi përgjithmonë nga vendi. Nga aeroporti i Moskës u dërgua në Vjenë me vetëm dy valixhe dhe një shpirt të nxjerrë nga rrënjët. U vendos në Shtetet e Bashkuara, ku nisi një jetë të re si pedagog në Universitetin “Kolumbia”, në “Jeil” dhe më pas në Universitetin e Miçiganit.
Amerika e priti si poet, por ai do të mbetej përherë një “njeri në mërgim”. Ai e bëri gjuhën angleze shtëpinë e tij të re dhe e përdori me një mjeshtëri të jashtëzakonshme, duke u kthyer në një ndër të paktët poetë që shkroi në dy gjuhë – rusisht dhe anglisht – me thellësi të barabartë.
Në vitin 1987, Jozef Brodski fitoi Çmimin Nobel për Letërsi, me motivacionin për “fjalën që tejkalon kufijtë politikë dhe gjuhësorë, duke mbartur intensitetin e mendimit dhe të përvojës njerëzore”. Katër vjet më vonë, Shtetet e Bashkuara e shpallën Poet Laureat Kombëtar.
Veprat e tij më të njohura përfshijnë Një pjesë e të folurit, Më pak se një (një përmbledhje esesh brilante), Për Uranian, si dhe Shenja e ujit, një ese-poemë për qytetin e Venecias, ku Brodski gjeti një pasqyrim të vetes: një qytet në ujëra, poet në zhvendosje.
Vdiq më 28 janar 1996, në moshën 55-vjeçare, në Nju Jork. U varros në Venecia, në ishullin e heshtur të Shën Mikelit, aty ku prehen Ezra Paundi dhe Igor Stravinski – të tjerë të mërguar nga vendlindja, por të përjetësuar në art.
Jozef Brodski nuk ishte thjesht një poet. Ishte një ndërgjegje që s’u përkul. Një mendje që e jetoi internimin si formë lirie dhe lirinë si një përvojë të thellë morale. Për të, poezia nuk ishte stoli, por mbijetesa e shpirtit përballë aparateve të shtypjes. Dhe pikërisht për këtë, ai mbetet sot një ndër zërat më të domosdoshëm në kohët tona gjithnjë e më të pavend.