Si e arsyeton Specialja pranimin e dokumenteve nga autoritetet serbe?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Krenare Cubolli, REL

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka qenë zyrtarja e parë që ia ka bërë me dije publikut në Kosovë se Gjykata Speciale në Hagë i ka pranuar disa dokumente të dorëzuara nga autoritetet e Serbisë, si prova materiale. Haxhiu dhe zyrtarë të tjerë në Kosovë kanë reaguar ashpër ndaj vendimit. Gjykata, në anën tjetër, e ka shpjegimin e vet. Cili është ai?

Si rrallë ndonjëherë, autoritetet e Kosovës janë mobilizuar ditëve të fundit dhe e kanë kundërshtuar njëzëri vendimin e Gjykatës Speciale për të pranuar dokumente prej autoriteteve të Serbisë, në cilësinë e provave materiale.

Gjykata Speciale – me gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë – është e themeluar me ligje të Kosovës në vitin 2015, por funksionon në Hagë të Holandës dhe i heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Rasti kryesor në Hagë po zhvillohet kundër ish-krerëve të UÇK-së, përkatësisht ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Kosovës, Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë hedhur poshtë të katërtit.

Gjykata e ka konfirmuar se i ka pranuar dokumentet serbe për këtë rast.

Zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se paneli gjyqësor e ka marrë vendimin për pranimin e materialeve serbe më 29 maj dhe se u takon prokurorisë dhe mbrojtjes të zgjedhin se cilat prova duan t’i përdorin për t’i mbështetur rastet e tyre përkatëse.

Ajo ka thënë se provat pranohen mbi parimin “prima facie” që do të thotë, sipas përshtypjes së parë, por kjo nuk do të thotë se ato do të përdoren me domosdo në aktgjykim.

“Paneli gjyqësor konstatoi se dokumentet në fjalë janë të rëndësishme, për shembull, për vlerësimin nga paneli të ekzistencës së një konflikti të armatosur midis UÇK-së dhe forcave serbe të paktën nga marsi 1998 deri në shtator 1999, siç parashtrohet në aktakuzën e konfirmuar”, ka thënë ajo në përgjigje.

Griep e ka cituar panelin gjyqësor të ketë thënë se dokumentet janë autentike – kanë datë, vulë, titull, numër protokolli dhe janë të nënshkruara.

“Vlera provuese e këtyre materialeve do të varet, në masë të madhe, nga shkalla në të cilën pretendimet dhe informacioni që ato përmbajnë, mbështeten (ose kundërshtohen) nga prova të tjera”, ka thënë zëdhënësja.

Sipas dokumenteve të gjykatës, mbrojtja e ka kundërshtuar pranimin e dokumenteve shtesë, duke argumentuar se dokumentet shtetërore serbe do të duhej t’i nënshtroheshin një vlerësimi të shtuar kritik, për shkak të origjinës së tyre, dhe që shumë dokumente kanë lidhje minimale ose aspak me akuzat.

Lexo edhe :  Hekuran Murati nuk bind partitë, dështon në votim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka parë me shumë shqetësim vendimin e Speciales, duke thënë se është dëshmuar historikisht që secila provë e shtetit të Serbisë kundër popullit shqiptar dhe UÇK-së, është e falsifikuar.

“Ato e kanë vetëm një synim, që ta rishkruajnë historinë”, ka thënë Osmani në një konferencë për media më 5 gusht.

Sipas ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, vendimi i Speciales ngre dyshime serioze mbi paanshmërinë e vetë gjyqtarëve të rastit.

Organizata e Veteranëve të luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) e ka kritikuar gjithashtu këtë vendim dhe e ka cilësuar një arsye më tepër për organizimin e protestës së 7 gushtit në Prishtinë, në të cilën është bërë thirrje “për drejtësi”.

Por, përtej deklaratave, shoqëria civile pret më shumë nga shteti.

Përmes një reagimi publik, Ramadan Ilazi, Armend Bekaj, Visar Xhambazi, Florian Qehaja, Besa Luzha, Besa Kabashi-Ramaj, dhe Gëzim Visoka, kanë kërkuar që institucionet e Kosovës të reagojnë me një qëndrim të unifikuar dhe të koordinuar në mbrojtje të interesave kombëtare.

“Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) ka dokumentuar me prova të shumta se organe të shtetit serb, si Ministria e Brendshme dhe mekanizma të tjerë të sigurisë, kanë qenë të përfshirë në krime sistematike kundër civilëve shqiptarë të Kosovës. Pranimi i dokumenteve të prodhuara nga institucione që janë implikuar drejtpërdrejt në spastrimin etnik, krime lufte, fushata dezinformimi dhe mohimin e të drejtës së Kosovës për të ekzistuar si shtet, rrezikon seriozisht besimin publik në integritetin e procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara (Gjykatën Speciale)”, është thënë në reagimin publik.

I pyetur se çfarë konkretisht kërkojnë nga institucionet shtetërore, Ramadani Ilazi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se çështja më urgjente tani është konsolidimi i institucioneve të Kosovës.

“Kuvendi të konstituohet, të formohet Qeveria, sepse situata në të cilën ne jemi, tregon një nivel të lartë të brishtësisë së Kosovës në raport me çfarëdo procesi tjetër”, ka thënë ai.

Si hap të dytë, Ilazi e ka përmendur formimin e një grupi punues nga Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca, që do t’i shqyrtonte çështjet legjislative që ndërlidhen me funksionimin e gjykatës.

Prokuroria e ka përmbyllur paraqitjen e provave në gjyqin kundër ish-krerëve të UÇK-së në prill të këtij viti dhe tani rendin e ka mbrojtja, për të cilën shteti i Kosovës i ka ndarë rreth 33 milionë euro.

Prej themelimit të saj, Gjykata Speciale i ka lëshuar disa aktgjykime për krime lufte si dhe për pengim të drejtësisë. Ajo financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian, me kontribute shtesë nga disa shtete të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara./e.t

Të fundit

U nda nga jeta ditën e djeshme, ja kur do të mbahen homazhet për gazetarin Artur Zheji

Homazhet për gazetarin dhe publicistin e njohur, Artur Zheji do të mbahen të hënën, më 25 gusht, në ambientet e Universitetit...

Sa kushton një vakt në restorant? Më i liri Durrësi, më i shtrenjti Jugu

Çmimet në restorantet shqiptare mbeten ndër më të përballueshmet në rajon, por dallimet mes qyteteve janë të ndjeshme. Një darkë për dy persona në bregdet...

Skandalisht i mirë, rikthimi i filmave të krimit të klasit të lartë

Një valë misteresh të zgjuara, thrillerash dhe dramash të grabitjeve po vjen këtë vjeshtë nga regjisorë të njohur si Paul Thomas Anderson, Spike Lee,...

Kurti mesazh për Zhejin: Na ndihmoi me ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të gazetarit dhe publicistit të njohur Artur Zheji, i cili ndërroi...

Vrau gruan shqiptare në sy të 4 fëmijëve,, momenti kur 40-vjeçari mbërrin në gjykatë

40-vjeçari shqiptar, Pandeli Nakoleci që vrau gruan e tij 36-vjeçare para syve të katër fëmijëve, u paraqit paraditen e së dielës, 24 gusht, para...

Lajme të tjera

Web TV