Porti detar i Sarandës është një nga pikat më të rëndësishme hyrëse për turistët.
Sipas përgjegjësve të përpunimit të anijeve ky shtatëmujor ka pasur rritje me 20% më tepër, me një numër rekord pasagjerësh, plot 345.476.
“Vitin e kaluar ishin 295 mijë,” thotë Hatixhe Ismaili, përgjegjëse e përpunimit të anijeve në Portin e Sarandës.
Gjatë gushtit numri i udhëtarëve shkon në 7.300 në ditë, por ky fluks i lartë udhëtarësh e vë portin përballë sfidave të mëdha këtë sezon veror.
Gjatë këtyre muajve janë 9 tragete që punojnë dhe në dispozicion janë vendosur 16 orare nisje-mbërritjeje.
“Zakonisht grumbullohen të gjithë për t’u larguar nga Porti i Sarandës paradite. Ora 10:00 është fluksi maksimal i njerëzve të cilët përpunohen në terminal. Mund të arrijnë deri në 1 mijë veta, që nisen dhe mbërrijnë nga Korfuzi,” tregon znj. Ismaili.
Saranda po kthehet çdo vit e më shumë në një nga destinacionet më të kërkuara për pushime verore, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për mijëra turistë të huaj./e.t