Fillimisht ajo fluturoi drejt Romës, për t’u lidhur me video konferencwn e Koalicionit të të Vullnetshmëve dhe për të përgatitur një linjë të përbashkët që do të paraqitet sot në Shtëpinë e Bardhë, kur liderët kryesorë europianë, presidentja e BE-së von der Leyen, kreu i NATO-s Rutte do të takojnë Trump dhe Zelensky. Pastaj në mbrëmje Giorgia Meloni — gjithnjë me telefon në dorë — u nis për në Uashington.
Askush nuk e di nëse do të bëhet një hap i vërtetë përpara. Sigurisht që synimi është të mos përsëritet skena e gjashtë muajve më parë, kur Trump e “shpërfilli” Zelenskyn para kamerave, në një përplasje epike. Aq sa, tregojnë, pika e vërtetë e ngërçit mbrëmjen e djeshme në bisedimet mes liderëve ka qenë pikërisht formati i deklaratave për shtyp. Në Shtëpinë e Bardhë kishin menduar për komunikime të shpejta të Trump dhe Zelensky-t në Zyrën Ovale menjëherë pas takimit ballë për ballë. Por rreziku që po shihej — siç Meloni u ka shpjeguar aleatëve — është që gjithçka të kthehet në një shfaqje nga ana e Trump që përfundon duke e lënë Zelenskyn dhe gjithë liderët e tjerë pa zë, ose në një mbivendosje të rrezikshme zërash e pozicionesh. Prandaj, presioni mbi Trump është i madh që të adoptohet një model më institucional, si në Alaska: deklarata të të dy presidentëve pa pyetje, në fund të ditës.
Do të shihet nëse Trump do të bindet. Sigurisht, siç u thotë Meloni të vetëve, për momentin nuk mbetet gjë tjetër veçse të shoqërohen përpjekjet e tij me durim dhe këmbëngulje, pa e sulmuar, edhe kur dëshira do të mungonte për shkak të toneve tepër miqësore që ka përdorur me Putinin. Por edhe dje kryeministrja ua tha liderëve të tjerë: rreziku është që Trump, nëse sulmohet, të hedhë gjithçka në erë dhe të thotë që Ukraina nuk do paqen, Evropa nuk bashkëpunon, dhe atëherë bëni si të doni sepse amerikanët do të merren vesh direkt me rusët. Një katastrofë, që do ta linte Europën në një ngërç. Pra, endje me fillin që kemi.
Pra, çfarë qëndrimi mban Italia në Uashington? Duke thënë se kryeministrja italiane nuk u jep shumë peshë telefonatave ku marrin pjesë shumë vende pa arritur në një përfundim tjetër veçse — komentojnë të sajët — për të kënaqur Macronin që do të tregojë “se është ai udhëheqësi i vërtetë i Europës”, në një shënim Meloni shkruan se në diskutim “është përsëritur rëndësia e vazhdimit të punës me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të arritur një paqe që të sigurojë sovranitetin dhe sigurinë e Ukrainës, e cila duhet të përfshihet në çdo vendim”. Për më tepër “diskutimi ka konfirmuar nevojën për të mbajtur presionin kolektiv mbi Rusinë dhe për garanci të forta e të besueshme sigurie”.
Këto fjalë, sigurisht, ishin më të përgjithshme se ato që liderët kanë shkëmbyer në bisedimet më të ngushta. Pika kyçe, për kryeministren italiane që e ka diskutuar edhe me Zelensky-n, është të sigurohet që Ukraina nuk do të mbetet vetëm në të ardhmen. Dhe që, ky është plani “i shpikur nga ne”, siç përsërit ajo, të zgjerohet aplikimi i nenit 5 të NATO-s në mënyrë që nëse Ukraina do të sulmohej, ajo do të mbrohej nga aleanca, edhe pse pa qenë pjesë strukturore e saj.
Ideja nuk e bind Macron, që shtyn për një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të vendeve europiane në mbrojtje të Ukrainës, me kontingjente ushtarake. Por Meloni i është përgjigjur: “Rusia ka një milion e treqind mijë ushtarë: sa duhet t’i dërgojmë ne që të jemi në të përmbushim detyrën?”. Dhe shton: “Nëse një nga ushtarët tanë do të vdiste, a do të bënim sikur s’ka ndodhur apo do të duhej të reagonim? Sepse nëse reagojmë është e qartë që do ta bëjë edhe NATO. Dhe atëherë aq më mirë të aktivizojmë menjëherë klauzolën”.
Ideja duket se i intereson si Zelenskyt, ashtu edhe Trumpit, më pak Macronit që nuk e pëlqen qëndrimin italian, në një përplasje qëndrimesh që vazhdon prej kohësh. Do të jetë një moment vendimtar, i pari nga çështjet “jashtëzakonisht komplekse”, siç thotë kryeministrja italiane: adoptimi i rusishtes si gjuhë zyrtare, territoret që kërkon Putini, armëpushimi. Por paraprake mbetet çështja e sigurisë: çfarë mund të marrë Zelensky në dorë për të pranuar disa nga kushtet e rusëve dhe për t’u shpjeguar bashkatdhetarëve të tij se “vdekja kishte ndonjë dobi?”. Një mbrojtje automatike, është e bindur kryeministrja italiane, do të ishte “një rezultat konkret, solid” për të. Do të shihet që sonte nëse do të ketë hapa përpara. Dhe ndoshta do të mund t’i jepet vazhdim propozimit italian që Roma të jetë vendi i një takimi tre palësh të mundshëm Putin, Zelensky, Trump. Të dyve të fundit nuk do t’u vinte keq, por edhe këtu beteja vazhdon: duket se dje Macron është nxehur përballë kësaj hipoteze, duke propozuar më mirë Gjenevën. Meloni me një batutë e ka qetësuar. Nuk është ky momenti për t’u përçarë. (Corriere della sera)